Moti i keq, probleme në disa akse rrugore

12/11/2016 00:00

Moti i keq ka shkaktuar bllokim e disa akseve rrugore, kryesisht në jug të vendit. Për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe vërshimit të përroit pranë varrezave, në aksin Gjirokastër-Kakavijë qarkullimi është bllokuar në të dy krahët ndërsa lëvizja lejohet vetëm për mjetet e rënda.

Policia dhe mjetet e bashkisë ndodhen në vendin e ngjarjes, por për shkak të reshjeve të mëdha, nuk mund të ndërhyhet për zhbllokimin e rrugës. Në këtë aks, dhjetëra automjete kanë mbetur të bllokuara.

Reshjet e orëve të fundit kanë bllokuar sërish kalimin në rrugën dytësore në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa po punohet për normalizimin e situatës.

Në Durrës problematike situate raportohet në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe po punohet për largimin e ujit nga rruga me motopompa. Në disa akse rrugore të Kukësit ka patur rrëshqitje dherash. Në aksin Kukës-Qafë Shllak ka patur shëmbje të rrugës dhe kalimi bëhet vetëm për mjetet e vogla ndërsa në Krumë-Qafë Prush, rruga është vetëm një kalimëshe.

Në aksin Skuraj-Burrel ura, në hyrje të Klosit, ka pësuar dëmtime nga prurjet e lumit. Në qarqet e tjera rrugët janë të kalueshme.

Top Channel