Patozi: Në Shqipëri duhen 7 ditë për të numëruar votat, duhet zgjidhje

10/11/2016 00:00

Deputeti i PD, Astrit Patozi nga foltorja e Kuvendit ka folur për zgjedhjet e ardhshme elektorale në vend, duke thënë se duhet të gjendet një zgjidhje që ato të mos manipulohen. Patozi nuk ngurroi të bëjë një paralelizëm me zgjedhjet në Amerikë, ku tha se për 120 miliona vota u deshën vetëm 7 orë për tu numëruar, ndërsa në Shqipëri janë 100 fish më pak dhe duhen 7 ditë që të dalë rezultati.

“Duke menduar se rezultati për të zgjedhur njeriun më të fuqishëm në botë doli vetëm 7 orë pas mbylljes së kutive, ndonëse ishin më shumë se 120 mln amerikanë që kishin votuar, ne që kemi 100 fish zgjedhës më pak na duhen 7 ditë për ti numëruar keq dhe mos më keq votat. Mirë që kemi 26 vjet që nuk e zgjidhim, duke e përkeqësuar, por tani themi se nuk ka më kohë për të ndryshuar diçka.

Kështu që do ta prishim dhe kësaj radhe. Unë po e përsëris shqetësimin, ka gjithmonë kohë për të mbyllur njëherë e mirë derën e manipulimeve dhe deformimeve që na vijnë për shkak të procesit të votimit dhe numërimit. Do të ishte minimum që kjo qeveri duhet të bënte për zgjedhjet e ardhshme për qytetarët e vet.

Amerikanët u njohën vetëm 7 orë pasi kishin votuar për presidentin e ri. Por ai u ngjit në tribunën e fituesit vetëm pasi kandidatja rivale e telefonoi për ta uruar, duke pranuar humbjen. Zotëria që sot është kryeministër, megjithëse kanë kaluar 7 vjet që nga 2009, ende nuk e ka pranuar që ka humbur, por është gati që edhe sot të bërtasë, hap kutitë ose largohu”,  tha Patozi.

Top Channel