Raporti i KE-së: Të hapen negociatat për anëtarësim. Prioritet “Vetting”-u dhe reforma në drejtësi

09/11/2016 00:00

Komisioni Europian do të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Top Channel mëson detajet e raportit ne te cilin se Shqipëria vlerësohet se ka bërë përparim të qëndrueshëm në përmbushjen e 5 kritereve kyçe për hapjen e negociatave të pranimit. Konkluzionet e raportit të Komisionit Europian do të bëhet të ditura zyrtarisht sot (e mërkurë) në Bruksel.

Në raport thuhet se ndryshimet e rëndësishme kushtetuese u miratuan unanimisht në korrik 2016 duke nisur një proces të plotë dhe gjithëpërfshirës reformimi të sistemit gjyqësor.

Ky proces do të përfshijë një rivlerësim të thellë të gjykatësve dhe prokurorëve thuhet në konkluzione: “Reforma në administratën publike vazhdoi të zbatohet në vazhdimësi. Ka vazhduar puna për vendosjen e një sistemi solid të dhënash për hetime dinamike, ndjekje penale dhe dënime në luftën kudër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të drejtat themelore kanë vazhduar të respektohen në shkallë të gjerë”, vlerëson Komisioni Europian.

“Duke parë progresin e mësipërm në zbatimin e prioriteteve kyçe, puna për të cilat duhet të vazhdojë, si dhe progresin konkret dhe te besueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, në veçanti rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve i quajtur ndryshe edhe ‘Vetting’-u, komisioni rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë përfundon raporti.

Top Channel