Ujërat shëmbin muret, probleme edhe në rrugë; stuhia zhvendoset në jug

08/11/2016 00:00

Ura në lumin Zezë të Fushë Krujës mëngjesin e të martës ishte e mbuluar nga uji. Lumi Zezë është gjithmonë kërcënimi më i madh për këtë qytet dhe mjaftuan 2 orë shi që ai të dalë nga shtrati e të rrëmbejë gjithçka gjen përpara, duke përmbytur qindra familje.

Vërshimi shembi edhe muret e banesave pranë. Familja e Ramazan Kasapit është përmbytur për herë të katërt. Por këtë herë, forca e ujit ka shembur derën prej hekuri dhe avllinë e shtëpisë.

“Ngelëm pa gjë, askush s’na ka ndihmuar asnjëherë. Shiheni shtëpinë si na është bërë. Kjo është hera e katërt që na ndodh”, tha gruaja e shtëpisë.

Përmbytjet goditën edhe Tiranë në disa zona, por lumi Lana nuk doli nga shtrati. Rreth 1.800 punonjës të bashkisë ishin në punë për të hapur kanalizimet.

“Jemi duke monitoruar situatën edhe në Bovillë. Ju e dini fare mirë që Bovilla është pellgu më i madh ujëmbledhës i Tiranës. Kjo është dhe arsyeja se pse e kemi nën kontroll dhe të bëjmë shkarkime të kontrolluara, pra jo të menjëhershme, për t’u siguruar që as zonat përreth Zall-Herrit nuk kanë përmbytje, por gjithashtu mbi të gjitha për t’u siguruar që depozita kryesore e ujit të Tiranës të jetë në një gjendje të sigurt dhe të mos prekë furnizimin e Tiranës me ujë të pijshëm”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj.

Por situata është më e keqe në veri, ku rritja e lumit Mat detyroi hapjen e portave të hidrocentralit të Shkopetit. Kjo bëri që në Kurbin dhe përreth të shtohet sipërfaqja e përmbytur.

Në Dibër shumë rrugë rurale janë shkatërruar dhe banorët kanë mbetur të izoluar, ndersa rruga nacionale në Burrel është nën ujë. Në rrugën e Kombit, lëvizja vijoi por ka rënie inertesh në shtratin e saj. Në Lezhë e Shkodër ndërkohë janë me qindra hektarë tokë nën ujë për shkak të sasisë së reshjeve në nivele rekord.

Sipas sinoptikanëve reshjet do vazhdojnë. “Pritet që reshjet të riaktivizohen sërish nesër, e mërkurë, në zonën qendrore dhe jugore të territorit. Por duke filluar nga mbrëmja e së mërkurës dhe të enjten e të premten do të kemi një ndërprerje të reshjeve. Do të ketë prani të tyre, por me intensitet më të ulët. Gradualisht qendra e presionit do të spostohet në jug-lindje të gadishullit të Ballkanit”, ka deklaruar meteorologia Rezarta Xhakollari.

Top Channel