Reshjet, nën ujë qindra hektarë tokë

08/11/2016 00:00

Me qindra hektarë tokë kanë përfunduar nën ujë në Shkodër, Lezhë dhe Gjirokastër. Rreth 200 hektarë janë përmbytur në Bushat të Shkodrës. Rruga nacionale nuk ka patur probleme, por uji i është afruar zonës së quajtur Harku i Bërdicës.

Lumenjtë Buna dhe Drini janë afër kuotave maksimale. Ministria e Bujqësisë thotë se përmbytjet janë shkaktuar si pasojë e prurjeve të lumenjve, por se hidrovoret dhe kanalet kulluese janë në funksionim të plotë në këtë zonë. Deri tani nuk ka shtëpi apo biznese të përmbytura.

Në qarkun e Lezhës, Lumi Drin ka mbërritur pikën kritike. Situata është problematike edhe në në Balldre, tek Hidrovori apo në Tale. Ministria thotë se nuk ka probleme me kanalet e ujërave te larta, por me qindra hektarë kanë përfunduar nën ujë edhe këtu.

Probleme ka në Kurbin, ku ka përmbytje edhe të shtëpive për shkak të shkarkimit të rezervuarit që administrohet nga Bashkia, si dhe te reshjeve të shumta që kanë rënë.

Ndërsa në Qarkun e Gjirokastrës, si pasojë e reshjeve të dy ditëve të fundit janë përmbytur rreth 130 hektarë tokë, në njësinë administrative Gjirokastër, Lazarat dhe Lunxhëri.

Ministria e Bujqësisë thotë se është në gatishmëri në të gjitha qarqet, ndërsa hidrovoret dhe kanalet kulluese janë në gjendje pune.

Top Channel