“Fiks Fare”/ Nipi i zyrtarit lejon prerjen e pyjeve, polici i shoqëron

07/11/2016 00:00

Pyjet vazhdojnë të masakrohen, pavarësisht se qeveria ka miratuar një moratorium 10-vjeçar ku ndalohet kategorikisht eksporti dhe tregtimi i lëndës drusore.

Kamera e “Fiks Fare” ka arritur të dokumentojë prerjen e pyjeve në qarkun e Korçës, ku firma private, apo individë të ndryshëm, presin dru vazhdimisht dhe i tregtojnë në qytet. Disa punëtorë që presin dru në fshatin Arrëz në Korçë thonë se ata i lejon një drejtor pyjesh, i cili është nipi i një zyrtari të lartë.Ndërkohë, krahas këtij zyrtari, firmat, apo individët që presin dhe tregtojnë dru zjarri, bashkëpunojnë me punonjës policie, të cilët i shoqërojnë gjatë gjithë rrugës.

Ekipi i “Fiks Fare” shkoi në fshatin Boboshticë dhe Dardhë të Korçës. Në Boboshticë banorët tregojnë se presin dru dhe se paguajnë policinë nga 50 mijë lekë kur i kapin. Tregojnë se ata që presin në pyll janë të paligjshëm. Sipas tyre, janë dy makina që bashkëpunojnë me policinë, ndërsa 32 mijë lekë të vjetra është një metër kub dru zjarri.

Gazetarët biseduan me një punëtor, i cili tregon se pret dru zjarri për një kompani. Ai thotë se, pasi presin dru, i ngarkojnë me mushka dhe ia çojnë firmës. “Deri në Boboshticë i dërgojmë drutë kollaj, por vështirësia është t’i fusësh në Korçë”, thotë punëtori.

Megjithatë, “Fiks Fare” dokumentoi edhe mënyrën sesi futen drutë në Korçë. Kamera e Fiksit gjen në qytet një polic rrugor që pret para një makine të ngarkuar me dru, e cila po shkarkohet.

Në pamje duket qartë punonjësi i policisë, i cili qëndron vetëm pak metra larg furgonit, ndërsa në disa çaste duket që kontrollon edhe zonën rreth e qark. Gazetarët bisedojnë me një qytetar, ngjitur me vendin ku shkarkohen drutë. Qytetari i thotë ekipit të Fiks Fare se një metër kub dru është 35-40 mijë lekë.

“Shiko si i sjellin, i shoqëron ai i policisë” thotë qytetari, i cili shton se “po të marrim dru neve, se unë jam prej fshati, më shikonte… Tani i sjellin fshehurazi”. Më pas pohon se “e shoqëron (polici) për ta sjellë këtu se është pyjorja atje matanë (300 metra larg vendit ku u shkarkuan drutë)”.

Ekipi i Fiks Fare shkoi në fshatin Dardhë. Rrugës është një automjet, tip “IFA”, të ngarkuar me dru. Mjeti lëvizte pa targa, ndërsa një punëtor tregon se makina ka të ngarkuar 8-9 metër kub dru.

Ndërkohë, në fshatin Dardhë ka dru të prera dhe të grumbulluara, ndërsa disa punëtorë presin me motorsharrë. Fiksi bisedoi me dy të rinj që presin dru në një zonë të mbrojtur. “Kjo është një zonë turistike dhe është e mbrojtur. Po të na kapin, ata të pyjores na gjobisin me 50 milionë” thonë ata.

Gazetarët shkuan në fshatin Dardhë, ku xhirojnë stivën e druve të dy punëtorëve. Disa çaste më vonë, te stiva vijnë edhe disa mushka të ngarkuara me dru. Në Dardhë, gazetarët bisedojnë me një banor, i cili u tregon se drutë që u prenë nga dy të rinjtë janë shitur menjëherë.

Pas Dardhës, Fiksi shkoi në fshatin Arrëz. Në këtë fshat, duket një pikë grumbullimi të druve, ndërsa afër saj është një stivë e vogël dhe afër saj janë të hedhura edhe dru të tjerë. Gazetarët bisedojnë edhe me një punëtor që çoi në këtë pikë disa mushka të ngarkuara me dru. Ai u thotë se “jemi të lidhur. I kemi me atë Arjanin”.

Gazetarët e pyesin nëse ju mbrojnë ata të pyjores. “Po, po na kanë mbrojtur këta. Sikur u pengua drurët, nuk ka ardhur dje në Arrëz asnjë makinë. I kanë nxjerrë ata të moratoriumit. Na kanë ardhur këtu, ju kemi thënë për filanin e mirë vazhdoni tha” thotë punëtori, ndërsa thotë se është nipi i një zyrtari të lartë. “Të them të vërtetën nip a çfarë e ka, kanë të bëjnë siç kam dëgjuar” vijon ai, duke shtuar se “Erdhi ai drejtori i Bilishtit një ditë këtu, jo na vër në dijeni se ç’i tha. Po ik ore i thashë, nuk të vë në dijeni. Jemi të lidhur me atë ne” përfundoi punëtori.

Kamera e Fiksit filmoi edhe një furgon duke u ngarkuar natën me dru.

Biseda me një banor në fshatin Dardhë
Banori: I shiti ato i shiti, ai që i kishte aty i shiti ato.
Fiksi: I shiti ato ë?
Banori: I shiti.
Fiksi: Si e kishte emrin?
Banori: Muhamet H.
Fiksi: Muhameti.
Banori: Ai është, i shiti, i shiti.
Fiksi: Kishte disa hajvanë e?
Banori: I shiti ai.
Fiksi: I mbaroi ë?
Banori: Po, po edhe këto për të shitur i ka.
Fiksi: Thashë mos i marr unë?
Banori: Po nuk e di bëj muhabet vetë. Ai është në mal, tani është sikur ka ardhur. Janë të njoma, kanë shumë peshë. Po, jo hajde me një furgon merri.
Fiksi: Po fugonat kanë frikë nga policia?
Banori: Kanë frikë! Kanë frikë, ke të drejtë.

Biseda me një punëtor të pikës së grumbullimit të druve në fshatin Arrëz
Fiksi: Me marrë nja 3 -4 metra si i bëhet?
Punëtori: E, jemi të lidhur. I kemi me atë Arjanin.
Fiksi: Sa metër kub?
Punëtori: Tre barre (tre mushka të ngarkuar) një metër.
Fiksi: Sa e shisni metër kubin?
Punëtori: Me 30. Vend i keq larg.
Fiksi: Vetë nga je, nga Arrza?
Punëtori: Po.
Fiksi: Kemi gjetur ne, kemi gjetur, po shtrenjtë. Dëgjon mo?
Punëtori: Lerë mos e pyet edhe në Arrëz 30 po venë. Dhe s’ka dru.
Fiksi: I merr firma e asaj? Ai që ka drutë e qytetit?
Punëtori: E, atij vinë e si bëjnë asgjë.
Fiksi: Ore si shumë të njoma janë, mos duhen tharë një çik?
Punëtori: Tani të njoma.
Fiksi: Tani janë prerë?
Punëtori: Tani janë prerë ato.
Fiksi: Tani do i stivosh ato, për ti matur?
Punëtori: Jo mo me barrë, vjen dhe i merr, i fut në furgon.
Fiksi: Po mirë të paktën ju mbrojnë nga pyjorja, nuk ju gjen gjë?
Punëtori: Po, po na kanë mbrojtur këta. Sikur u penguan drurët, nuk ka ardhur dje në Arrëz asnjë makinë. I kanë nxjerrë ata moratoriumit. Na kanë ardhur këtu, ju kemi thënë për filanin. E mirë vazhdoni tha.
Fiksi: Ju kanë ardhur të pyjores?
Fiksi: Arjani, Arjani?
Punëtori: Po.
Fiksi: Pse është nipi i …?
Punëtori: Të them të vërtetën, nip a çfarë e ka, kanë të bëjnë, siç kam dëgjuar.
Fiksi: Prandaj e keni mbrojtjen ju?
Punëtori: Erdhi ai drejtori i Bilishtit një ditë këtu, jo na vër në dijeni, se ç’i tha. Po ik ore i thashë, nuk të vë në dijeni. Jemi të lidhur me atë ne.
Fiksi: Nga se metër merr ai?
Punëtori: Ai nga 13 metër merr.
Fiksi: 13 metër me kamion?
Punëtori: Jo mo me furgon.
Fiksi: Pse furgon, kamioni merr më shumë apo…?
Punëtori: Ika unë…

Top Channel