Aksioni i pastrimit, Bashkia e Tiranës i fton të gjithë për kryeqytetin

07/11/2016 00:00

Më datë 13 nëntor Tirana do të përfshihet në një aksion masiv pastrimi në çdo lagje të saj. Me iniciativë të Bashkisë së kryeqytetit janë konstatuar edhe zonat më të ndotura, ku do të përqendrohet një pjesë e mirë e vullnetarëve.

“Bashkia bën thirrje për të gjithë banorët e Tiranës që më 13 nëntor të bashkohen në pastrimin e shtëpisë sonë të madhe. Synojmë pastrimin e rrugëve, koshave të mbeturinave, etj. Ne kemi evidentuar edhe disa pika të nxehta që janë njësia administrative numër 4, ajo numër 8 në Laprakë dhe 11”, ka deklaruar Julinda Dhame, drejtoreshë e Promovimit të Qytetit.

Por, ndihmës së qytetarëve do t’i bashkohet edhe vetë Bashkia e Tiranës, e cila do të vërë në dispozicion strukturat dhe mjetet e nevojshme për këtë qëllim.

“Bashkia me të gjitha agjencitë dhe ndërmarrjet e veta do të jetë e shpërndarë në të gjitha pikat e nxehta administrative. Ne do t’i caktojmë sipas hartës, afër zonës së tyre të banimit”, ka saktësuar Dhame.

Pastrimi i Tiranës do të nisë në orën 09.00, ditën e diel. Sipas Bashkisë, një nga hapat e pastrimit të qytetit është që qytetarët të grumbullojnë thasët e zinj me mbeturina pranë konteinerëve.

Top Channel