Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s që po zhvillon punimet në Bruksel.
Ky Ministerial pason Samitin i Varshavës të mbajtur në korrik të këtij viti. Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s trajtuan një sërë tematikash të rëndësishme për Aleancën dhe sigurinë euro-atlantike si: kuadrin politik të bashkëpunimit NATO-BE, forcimin e mëtejshëm të lidhjes transatlantike, projektimin e stabilitetit, sfidat të sigurisë me të cilat përballet rajoni ynë, marrëdhëniet me Ukrainën si dhe progresin e bërë në kuadër të misionit të NATO-s “Resolute Support” në Afganistan.
Sesioni i parë të Ministrave të Jashtëm të Aleancës iu dedikua bashkëpunimit NATO-BE, ku ishin të ftuar Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian Federica Mogherini, si dhe vende partnere të rëndësishme të NATO-s, Suedia dhe Finlanda. Ministrat aleatë trajtuan mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë dhe miratuan një Deklaratë të Përbashkët që përcakton drejtimet e punës për forcimin e bashkëpunimit mes dy organizatave në të ardhmen.
Në ndërhyrjen e tij, Ministri Bushati theksoi mes të tjerash rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit NATO–BE për përballimin efikas të sfidave aktuale të sigurisë duke sjellë si shembull të këtij bashkëpunimi rajonin tonë dhe veçanërisht Kosovën, ku ndër vite si NATO ashtu dhe BE kanë shënuar një sërë arritjesh pozitive.
Në seancën pasuese, Ministrat e Jashtëm aleatë ndanë këndvështrimet e tyre lidhur temën e rëndësishme të projektimit të stabilitetit duke analizuar kërcënimet nga terrorizmi dhe angazhimet e NATO-s ndaj sfidave të sigurisë që vijnë nga Jugu.
Një vend të veçantë zunë edhe diskutimet lidhur me rajonin tonë, përfshirë dhe ecurinë e reformave në vendet e rajonit në kuadër të integrimit euro-atlantik. Në ndërhyrjen e tij, Ministri Bushati theksoi, mes të tjerash, se: “Integrimi Euroatlantik i rajonit të Ballkanit Perëndimor mbetet një çështje e pambaruar për NATO-n. Në këtë kontekst ripërsëris qëndrimin për një marrëdhënie të institucionalizuar mes Kosovës dhe NATO-s”.
Ministrat aleatë miratuan edhe një raport të NATO-s mbi të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe mirëpritën vendimin e NATO-s për të përparuar në lëmin e marrëdhënieve të saj me Kosovën.
Në këtë Ministerial vendi ynë paraqiti një seri kontributesh të rëndësishme, si në fushën e Mbrojtjes dhe Shkurajimit, ashtu edhe atë të Projektimit të Stabilitetit, dhe për më tepër brenda periudhës kohore të shkurtër që prej mbajtjes së Samitit të Varshavës në korrik të këtij viti.
Në lidhje me Projektimin të Stabilitetit, krahas dërgimit pak ditë më parë të anijes “Oriku” në operacionin e NATO-s në detin Egje, çka, mes të tjerash, shënon edhe një arritje historike në kuadër të pjesëmarrjes së vendit tonë në operacionet ndërkombëtare, në janar të vitit 2017 pritet të materializohet edhe dërgimi i një kontingjenti ushtarakësh shqiptarë në Irak, në kuadër të misionit stërvitor të Aleancës. Paralelisht, do të materializohet edhe dyfishimi i pjesëmarrjes së vendit tonë në Misionin e Aleancës në Afganistan – RSM. Po ashtu, vendi ynë do të shtojë ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm edhe pjesëmarrjen e tij në Misionin e NATO-s në Kosovë – KFOR. Së bashku me disa vende të tjera anëtare, Shqipëria do të jetë pjesë e një batalioni shumëkombësh të drejtuar nga Kanadaja, i cili do të dislokohet në Letoni në kuadër të angazhimeve për sigurimin e kufijve të aleancës por edhe jashtë saj.
Gjatë ditës së sotme u zhvillua në Bruksel dhe takimi i parë informal tripalësh i Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati, Kroacisë Davor Ivo Stier dhe Malit te Zi Srdjan Darmanovic.
Në fokus të takimit ishte trajtimi i një sërë çështjesh që përbëjnë interes të përbashkët dhe institucionalizimi gradualisht i një forme bashkëpunimi trepalësh për vendet e Adriatikut në Ballkanin Perëndimor, si dhe fokusimi i bashkëpunimit në çështjet e karakterit politik, sigurinë, infrastrukturën, mjedisin, energjinë dhe turizmin duke i konsideruar këto si fusha në të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë së bashku sfida dhe angazhime në lidhje me proceset integruese.
Ministrat e të tre vendeve nënvizuan nevojën për gjetjen e emëruesve të përbashkët për të përshpejtuar integrimin e rajonit në BE, në frymën e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
Top Channel