Vetting-u përçan prokurorët, anulohet mbledhja për qëndrimin ndaj reformës

05/11/2016 00:00

Takimi i prokurorëve të cilët ishin njoftuar më herët se duhet të mblidheshin më datë 5 për të vendosur se cfarë qëndrimi do të mbanin për ligjin e Vetting-ut është anuluar në mënyrë të beftë.

Nuk dihen arsyet e vërteta të shtyrjes pa afat të takimit mes përfqësuesve të Akuzës, por Unioni i Prokurorëve ka njoftuar anëtarët se mbledhja e tyre nuk do të zhvillohet këtë të shtunë.
Megjithatë, burime thanë për TCH se shkak për dështimin e takimit është bërë ndarja në dy grupe e prokurorëve për Vetting-un. Nga rreth 360 prokurorë në shkallë vendi, shumica e tyre kanë firmosur paraprakisht votën kundër dërgimit të ligjit të Vetting-ut në Kushtetuese.

Ndërkohë, vetëm 130 prokurorë, mes tyre edhe magjsitratë të rinj, kanë dalë pro ankimimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tyre, vakumi ligjor i krijuar ka cënuar punën e përditshme të prokurorëve, duke shkaktuar ngërç për hetimin e dosjeve të hapura.

Por ndërkohë ligji i Vetting-ut, thënë ndryshe ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese pasi bie ndesh me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ligji, tashmë i ngrirë, ka pezulluar gjithashtu edhe reformën në drejtësi derisa të kthehet një përgjigje nga Komisioni i Venecias për pyetjet e gjykatësve të Kushtetueses.

Top Channel