LSI, Rama: Gjithçka gati, mbi 50 mijë do votojnë për kryetarin

05/11/2016 00:00

Sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama ka deklaruar se, tashmë kjo parti është gati për zgjedhjet e 6 nëntorit.

“Në të gjithë Shqipërinë janë hapur 225 qendra votimi për të bërë të mundur që të gjithë anëtarët e LSI-së të shkojnë për të votuar. Ndërkaq, më lejoni të konfirmoj që e gjithë kjo fushatë e zgjedhjeve është fokusuar në mënyrë të veçantë edhe tek rikonfimimi i anëtarësisë, sepse ne kemi shpërndarë kartat e reja të anëtarësisë”, ka thënë Rama.

Ai ka bërë me dije se aktualisht ka kaluar mbi 50 mijë numri i atyre që kanë aplikuar dhe kanë marrë kartën e re të anëtarësisë.

“Që do të thotë se të gjithë këta, pra mbi 50 mijë që është numri i anëtarëve të LSI-së të rikonfirmuar, duhet të marrin pjesë nesër për të votuar për kryetarin dhe për delegatët e konventës”, ka thënë Rama.

Ai ka sqaruar se, janë rreth 5 mijë emra që do të votohen nesër për të nxjerrë nga këta rreth 2.500 delegatët e Konventës Kombëtare Zgjedhore.

Top Channel