Për kundërshtarët e tij politikë, por dhe për shumë analistë, reformatimi i qeverisë greke ishte një përpjekje e fundit e kryeministrit për të shmangur zgjedhjet e parakohshme në vend. Për Aleksis Tsipras,  ai i shërben përshpejtimit të përpjekjeve dhe reformave që vendi të dalë nga kriza,ndaj dhe nuk ka ndryshuar ministrin e Financave. 

“Kemi mundësinë për një fillim të ri që do të na japë shtysën e nevojshme për hapat e fundit kritike të një maratone”, deklaroi Tsipras.  

Por njëkohësisht, Tsipras i ka dhënë më shumë terren politikës së emigracionit duke krijuar Ministrinë e parë të Politikave të Emigrimit. Ka gjithashtu lëvizje të shumta brenda kabinetit, kryesisht të ministrave që nuk aprovonin privatizimet, por edhe politikanë të rinj, në një skemë me numër të konsiderueshëm grash.

Nga ministrat e rinj dhe ata që ndryshuan portofol, vetëm 10 prej tyre bënë betimin fetarë dhe të 22 atë politik, ndërsa pas ceremonisë nuk munguan edhe mesazhet qeveritare për fqinjët. Zv.ministri i Mbrojtjes Dhimitris Vitsas i pyetur nga gazetarët se çfarë përgjigjje u jep deklaratave të fundit nga Ankaraja dhe Tirana ka thënë:

“Nuk kërkojmë asgjë nga të tjerët, por askush mos të guxojë të kërkojë ato çka janë tonat. Nuk i vendosim për diskutim në tryezeë”.

“Riformatim i dëshpëruar”, “Riformatim për të ruajtur ekuilibrat” kanë qenë disa prej titujve të shtypit grek, ndërkohë që edhe reagimet e qytetarëve kanë qenë jo fort të pëlqyeshme për të majtët. 

“Asgjë nuk do të ndryshojë. Unë jam në pension që nga viti 2011 dhe prej atëhere pensioni im është reduktuar më shumë se gjysma. Nuk po bëhet asgjë, nuk shoh dritë asgjekundi”, thotë një qytetare greke.
 
Ndër komentet e shtypit të huaj veçohet ai i gjermanes “Bild”, që e cilëson kabinetin e ri si një “Qeveri me influencë amerikane”, duke iu referuar ministrit të ri të Ekonomisë dhe Zhvillimit me shumë kontakte dhe lidhje të forta në Uashington.

Për një manovrim politik flet “Der Spigel”, kurse agjencia “Reuters” shkruan se Tsipras ka kryer reformimin e qeverisë për të qetësuar huadhënësit dhe për të marrë vlerësimin e tyre për programin e ndihmës.

Top Channel