Teatri, 2.5 milionë lekë nga biletat

02/11/2016 00:00

Njerëzit e frekuentojnë teatrin, kjo e dukshme edhe në një skenë eksperimentale. Përgjatë sezonit të kaluar, të ardhurat nga shitja e biletave në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” kanë qenë 2.560.000 lekë të reja.

“Jemi të kënaqur. Natyrisht që eksperimenti nuk është i lehtë, por ia kemi dalë. Jemi të kënaqur me të ardhurat”, tha Kiço Londo, drejtor i TKEKS.

Ndërkohë, ky teatër hap sezonin artistik 2016-2017 me 23 takime.

“Nga të 12 teatrot zyrtare në Shqipëri, ne marrim nga buxheti i shtetit vetëm 4 për qind të shumës të përgjithshme”, shtoi më tej Kiço Londo.

Tema qëndrore për këtë sezon artistik është bulizmi. I ardhur nga një eksperiencë drejtuese, që i pëlqen të ndërtojë salla, Londo premton së shpejti 3 skena brenda Teatrit Eksperimental.

“Na pëlqen që teatri të fillojë e të përzihet, sa teatri zyrtar, aq edhe teatri i një skene të lirë”, deklaroi Londo.

Ky takim solli edhe lajmin e mirë se “Made in Albania”, shfaqja e sezonit të shkuar me regji të Altin Bashës dhe skenar të Stefan Çapalikut, ka marrë dy çmime si “teksti më i mirë” dhe “shfaqja më e mirë” në “Festivalin Ndërkombëtar të Dramës Nacionale” në Tetovë.

“Drama shqipe ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse lidhet me dokumentimin e ndryshimeve shpirtërore të një kombi. Regjisorët shqiptare fare mirë mund të gjejnë te drama shqipe po aq vlera sa ç’gjejnë te drama e huaj”, u shpreh Altin Basha, regjisor.

“Është në nderin e drejtuesve të teatrove shqiptarë që të bëhen promovues. E thënë më troç është detyrë, sepse këta për çështje nderi nuk pyesin më”, shtoi Stefan Çapaliku.

Top Channel