“Buxheti 2017”, 9.1 miliardë lekë për rritjen e pagave dhe pensioneve

02/11/2016 00:00

Tipari kryesor i buxhetit 2017 është natyra e fortë konsoliduese. Edhe pse në një vit zgjedhor, huamarrja e qeverisë do të jetë më e ulëta në histori, me vetëm 1.9 për qind të prodhimit kombëtar.

Huamarrja e ulët bën që në vitin 2017, borxhi publik i vendit të shënojë uljen më të madhe në një dekadë. Sipas tabelave, ai zbret nga 71.3 për qind e prodhimit kombëtar këtë vit, në 69.1 për qind vitin tjetër. Kjo është hera e parë që nga 2001-shi, kur qeveria ul borxhin me mbi 2 pikë përqindjeje në një vit zgjedhor.

Në fakt, ulja e borxhit me këtë ritëm do të ishte e pamundur, nëse nuk do të ndihmohej nga zgjerimi i ekonomisë. Sipas qeverisë, vitin tjetër rritja ekonomike do të përshpejtohet në 4 për qind, që është niveli më i lartë nga 2008-a.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik, përveçse ul peshën e borxhit në ekonomi, sjell më shumë të ardhura për qeverinë. Sipas tabelave, të rakorduara me FMN-në, të ardhurat totale të buxhetit vitin tjetër do të rriten me 6.8 për qind, krahasuar me nivelin e pritshëm të këtij viti. Kjo i mundëson qeverisë të shpenzojë 30 miliardë lekë më shumë sesa këtë vit.

Por ku shkon kjo rritje e shpenzimeve? Përfituesit kryesorë janë punonjësit e administratës, pensionistët, si dhe Fondi i Investimeve Publike. Buxheti destinon 6.5 miliardë lekë për rritjen e pagave dhe 2.6 miliardë të tjera për pensionet. Shtesa, e cila hyn në fuqi nga data 1 mars, bën që pagat në administratë të rriten mesatarisht me 13.5 për qind, ndërsa pensionet me 2.65 për qind.

Zëri i fundit që përfiton më shumë nga rritja e shpenzime janë investimet, të cilat rriten me 13.6 miliardë lekë, krahasuar me këtë vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA