Përplasja për “check up” falas, Beqaj: Asnjë fond shtesë për kompaninë

01/11/2016 00:00

Është zhvilluar me tone të larta ndërmjet deputetëve  mbledhja e Komisionit të Shëndetësisë, ku ministri Ilir Beqaj ishte thirrur për të shpjeguar arsyet e vendimit për zgjerimin e fashës së grupmoshës  nga 35-70 vjeç që përfitojnë “check up” falas.

Deputetët e Partisë Demokratike akuzuan se po i jepen fonde shtesë kompanisë koncesionare që po kryen analizat.

“Jeni duke abuzuar, jeni zhytur në korrupsion zoti ministër. E dëgjuan të gjithë që janë 110 mijë analiza më shumë i keni dhënë dikujt pa bërë asgjë”, tha Albana Vokshi.

Ministri i Shëndetësisë shpjegoi se nuk ka asnjë fond shtesë për kompaninë, por të vetmit që përfitojnë janë qytetarët, të cilët tanimë do të mund të kryejnë dhe analizat për të parandaluar sëmundjet e veshkave. Deri më tani ka pasur një pjesëmarrje prej 37% të qytetarëve.

“Kontrata na detyron të financojmë 475 mijë edhe në qoftë se këto nuk arrihen të kryhen. Nëse do të vazhdojmë të qëndrojmë në këto nivele pjesëmarrje ne jemi brenda parashikimeve buxhetore prej mbulimit të financimit prej 550 mijë kontrolleve në vit, gjë që tregon shumë thjesht se e gjithë historia është krejt e pa vërtetë sepse rrëzohet me një llogaritje shumë të thjesht”, tha ministri Beqaj.

Në rreth një vit e gjysmë nga “check up” është konstatuar se 7.3% e popullatës vuan nga hipertensioni arterial dhe 30%  vuan nga hiperkolesterolemia.

Top Channel