Basha: Modeli i Ramës, krimi dhe hashashi

01/11/2016 00:00

Me demokratët e njësisë 11, Lulzim Basha e përkufizoi qeverisjen e Edi Ramës si modelin e bashkëqeverisjes me krimin. 

“Flet me fermerët që s’kanë prodhim bujqësor dhe u thotë: “Si jeni me kanabisin?”. Kur e di fare mirë që kanabisi mbillet në Shqipëri  vetëm me lejen e Edi Ramës dhe vetëm me të licencuarit e Edi Ramës, Flet me mësuesit, ky që si model u solli shqiptarëve krimin, kriminelët, Elvis Roshin, Artur Bushin dhe Armando Prengën me kompani”, deklaroi kreu i PD.
 
Basha thotë se në këto 9 muaj Rama u ka shpërndarë 11 kompanive afër tij 220 milionë dollarë nga buxheti i shtetit. Sipas Bashës ky është një tregues i modelit të korrupsionit të Kryeministrit Rama, që nuk jep llogari për mosmbajtjen e premtimeve elektorale.

“Fajin për këto 3 vite të keqqeverisjes e paska Partia Demokratike, fajin e ka opozita, fajin e ka media, fajin e ka populli , vetëm Edi Rama nuk ka faj. E sheh veten e vet, në rastin më të mirë, si një drejtor burgu dhe shqiptarët si të burgosurit e tij që mund t’i keqtrajtojë njësoj si në kohë të diktaturës”, vijoi ai.

Kreu i opozitës beson se ka zgjidhje.

“Shqiptarët kërkojnë zgjidhje dhe ne kemi ofruar një rrugëzgjidhje që kalon përmes bashkimit të të gjithë qytetarëve të të gjithë faktorëve politik e shoqëror në një aleancë të madhe vlerash për t’ia kundërvënë aleancës së drogës të krimit dhe të korrupsionit”, deklaron Basha.

Top Channel