Rama në Tropojë: Do të fitoj!

31/10/2016 00:00

Brenda 10 ditëve, Kryeministri Edi Rama është shfaqur në krah të dy kryebashkiakëve demokratë. Pas Përmetit, në axhendën e Kryeministrit është tropoja.

Edi Rama ishte në Tropojë për të bërë publike punën për rilindjen urbane të qytetit, që voton historikisht Partinë Demokratike.

Fondi prej 150 milionë lekësh po investohet për realizimin e projektit të shëtitores, çka, sipas kryetarit të bashkisë, do t’i japë nxitje zhvillimit të turizmit dhe biznesit lokal.

Por kjo nuk është e mjaftueshme. Demokrati Besnik Dushaj, që e priti në godinën e bashkisë Kryeministrin, i kërkoi sërish fonde për rindërtimin e qytetit.

“Pas fasadës na duhet të sistemojmë lagjet e qytetit. Ne e kemi projektin gati dhe kushton 60 milionë lekë të reja”, thotë kryebashkiaku i Tropojës, Besnik Dushaj.

Kryeministri nuk hezitoi të mbështesë publikisht projektet e kryebashkiakut të Tropojës, por premtimi ishte i dyfishtë, sepse lidhej edhe me zgjedhjet e ardhshme.

“Këto janë katër kryesoret. Nga këto tani të bëjmë, gjimnazin që nuk diskutohet, këtë unazën nuk diskutohet, fasadat nuk diskutohen, hyrjet po. Mbas zgjedhjeve do të vij takoj prapë se ne do fitojmë”, deklaroi Kryeministri Rama.

Top Channel