Hetimi i Clintonit, demokrati Reid: Comey mund të ketë shkelur ligjin

31/10/2016 00:00

Udhëheqësi demokrat i Senatit amerikan ka bërë të ditur se kreu i FBI-së mund të ketë shkelur ligjin me bërjen publik të hetimit nga ana e Byrosë Federale të “e-mail”-eve të dyshuara si të lidhura me Hillary Clinton.

Harry Reid akuzoi drejtorin e FBI-së, James Comey, se ka shkelur ligjin që u ndalon zyrtarëve të influencojnë në zgjedhje. Lajmi për rihapjen e hetimeve nga Byroja Federale erdhi në më pak se dy javë nga dita e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.

FBI-ja, ndërkohë, ka siguruar autorizimin për të kërkuar mes disa “e-mail”-eve që i përkasin ndihmëses kryesore të Clintonit në fushatën presidenciale të kësaj të fundit. “E-mail”-e nga Huma Abedin besohet se janë gjetur në laptopin e ish-bashkëshortit Anthony Weiner, gjithashtu një ish-kongresmen.

Në total janë 650 mijë “e-mail”-e që do të hetohen nëse përmbajnë apo jo ndonjë informacion të konsideruar sekret, ndaj dhe është thuajse e pamundur që hetuesit të japin një verdikt mbi këtë përpara ditës së zgjedhjeve.

FBI beson gjithsesi se këto “e-mail”-e mund të jenë subjekt hetimi në vazhdën e hetimit të kaluar ndaj Clintonitpër përdorimin e një serveri privat gjatë kohës kur ka shërbyer si Sekretare e Shtetit në administratën “Obama”. Kjo çështje u mbyll në korrik pa ngritur ndonjë akuzë ndaj Clintonit.

Weiner, nga ana e tij, është subjekt i një tjetër hetimi, me dyshimin se ka dërguar mesazhe me përmbajtje seksuale ndaj një vajze të mitur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA