Dhuna mbërthen Athinën, anarkistët përleshen me policinë për rreth 4 orë

30/10/2016 00:00

Përballja e anarkistëve me policinë në rrugët e Athinës tashmë duket se është kthyer në traditë.

Përleshja e radhës ndodhi në sheshin “Exarcheia”, ku rreth 70-80 anarkistë hodhën gurë dhe bomba molotov kundër forcave të rendit, që ndodheshin në këtë zonë. Përleshjet vazhduan për gati 4 orë dhe përfunduan gjatë orëve të para të së dielës.

Policia thotë se dëmet gjatë përleshjeve mes forcave të rendit dhe anarkistëve këtë herë ishin më të rënda. U dëmtuan dhjetëra makina të parkuara në rrugët “Sturnari”, “Didotou”, “Charilaou Trikoupi” etj.

“Xhamat e makinave të thyera, gurë ngado dhe bombat molotovë binin si breshër”, thanë banorë të zonës.

Sipas policisë, disa vitrina dyqanesh u dëmtuan, ndërsa përdorimi i gazit lotsjellës e bëri atmosferën të padurueshme. Autoritetet ndaluan disa të rinj, por gjatë orëve të para të mëngjesit ata u lanë të lirë.

Top Channel