Negociatat për paqe, reagon Donald Trump: Ukraina ka disa probleme të vogla, por besoj se këtë herë mund t’ia dalim
Çështja e fëmijëve emigrantë të Kalesë është kthyer në shqetësim aq të madh për presidentin francez Francois Hollande, sa i ka parashtruar kryeministres britanike Theresa May kërkesën që vendi i saj të mbajë një pjesë të përgjegjësisë për këta të mitur.
Ka pasur tension këtë javë mes dy vendeve për kujdesin që duhet treguar ndaj emigrantëve të rinj tani që kampi, ish-shtëpi e mbi 6.000 të ardhurve, është rrafshuar me buldozerë.
Nga rajonet perëndimore të Francës, ku sapo kishte vizituar njërën prej 450 qendrave të pritjes të ngritura për emigrantët e atij që njihej si “xhungla”, Hollande kujtoi se janë rreth 1.500 minorenë të pashoqëruar, të cilëve u duhet gjetur një sistemim.
“Pata një takim me kryeministren britanike Theresa May dhe të njëjtën gjë bëri dhe ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve me homologen e tij Amber Rudd, me kërkesën që pala tjetër të bëjë pjesën e saj e t’i marrë në Mbretërinë e Bashkuar. Brenda një periudhe të shkurtër kohe do të jemi në gjendje ta evakuojmë të gjithë atë që e quanim kampi i Kalesë”, tha Hollande.
Nga ana e saj, sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Rudd pretendon nga Franca që të garantojë mbrojtjen e këtyre të rinjve.
Deri tani, Londra ka pranuar 274 fëmijë të Kalesë. Rregullat e BE-së e shtrëngojnë Anglinë të pranojë të miturit e pashoqëruar që kanë lidhje familjare atje.
Janë edhe rreth 2.500 vetë që flenë nëpër tenda në kampet në veri-lindje të Parisit, disa prej të cilëve janë zhvendosur aty pikërisht nga “Xhungla”.
Kryeqyteti francez planifikon të hape dy qendra emigrantësh, por kapaciteti i tyre nuk do të jetë më i madh se 1.000 shtretër.
Top Channel