Mjekët, spitalet private i kërkojnë, ata duan Gjermaninë

28/10/2016 00:00

Punësimi në Gjermani është ëndrra e shumë mjekëve dhe infermierëve që punojnë në vendin tonë. Jo vetëm e të punësuarve, por edhe e të diplomuarve të rinj. Xhenida Liçi, e sapo diplomuar si teknike e lartë laboratori, e sheh të ardhmen e profesionit të saj jashtë Shqipërisë.

“Kam ardhur sepse kam mbaruar studimet për mjekësi dhe do të doja të punësohesha në Gjermani, sepse ndryshe nga Shqipëria, krahas vendeve vakante që janë atje, edhe rrogat janë më të mira. Kam aplikuar për një vend pune dhe po pres përgjigje, besoj se do më jepet mundësia të shkoj jashtë shtetit”, thotë Liçi.

Në panair të interesuarit u njohën jo vetëm me vendet e lira të punës, por edhe aplikuan sipas profileve. Ndërkohë, ata që janë më shumë të interesuar për punësime të reja janë spitalet private.

“Interesi më i lartë ka qenë për degën e mjekësisë së përgjithshme, për infermieri, për fizioterapistë, teknikë të imazherisë apo teknikë laboratori. Ka një interes shumë të lartë të specialistëve të rinj për t’u punësuar në Gjermani”, thotë Gentjan Asllanaj, nga Fakulteti i Shekncave Mjekësore Teknike.

Ky është panairi i parë i punës i organizuar nga Universiteti i Mjekësisë, që do të bëhet ndërmjetës për t’i gjetur studentëve punë pas diplomimit.

Top Channel