Negociatat për paqe, reagon Donald Trump: Ukraina ka disa probleme të vogla, por besoj se këtë herë mund t’ia dalim Një grup kryengritësish sirianë që përfshin luftëtarë kurdë të njësive të mbrojtjes popullore YPG, do të angazhohet në izolimin e Rakës, një zhvillim ky që me shumë gjasë do të zemërojë aleaten e Shteteve të Bashkuara, Turqinë, e cila e konsideron këtë grupim si të paligjshëm.
Gjenerali amerikan, Stephen Townsend, i cili udhëheq veprimet e koalicionit kundër ISIS-it, sqaroi se arsyeja përse po kërkohet me kaq ngulm marrja e fortesës së terroristëve në Siri, është se militantët e dhunshëm e përdorin këtë qytet si bazë për planifikimin e sulmeve jashtë kufijve.
Amerika e sheh YPG-në si aleate në luftën kundër ekstremistëve, por Ankaraja e konsideron organizatë terroriste për shkak të lidhjeve të saj me militantët etnikë kurdë të përfshirë në një kryengritje 30-vjeçare në Turqi.
“Turqia nuk do që ne të bashkëpunojmë me YPG-ne në asnjë vend e sidomos në Raka. Por ne po e diskutojmë këtë çështje me palën turke dhe do ta hedhim këtë hap”, tha Stephen Townsend, gjeneral amerikan.
Presidenti Barack Obama dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan diskutuan në telefon për luftën kundër ISIS-it. Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë nuk e përmendi konkretisht Rakan, por tha se Obama i njeh përpjekjet e Turqisë në Veri të Sirisë dhe nevojën e një koordinimi të ngushtë me të për të ushtruar presion të vazhdueshëm mbi grupin ekstremist.
Top Channel