
24 vende dhe BE ranë dakord të premten për krijimin e parkut me të madh detar në ujërat e Antarktidës, që mbulon një sipërfaqe oqeanike prej 1.55 milionë kilometrash katrore.
Komisioni për mbrojtjen dhe ruajtjen e resurseve jetësore të Antarktidës, gjatë një takimi në Hobart të Australisë tha se parku në detin Ross do të mbrohet nga peshkimi për 35 vite.
Ujërat e detit Ross konsiderohen si më të rëndësishmet në botë nga pikëpamja ekologjike. Zona e mbrojtur do të mbulojë më shumë se 12 % të oqeanit jugor, që është vendbanim i me shume se 10 mije specieve, përfshirë shumicën e pinguinëve në botë, balenave, zogjve të detit, kallamarëve gjigantë dhe peshqve të rrallë.
Peshkimi do të ndalohet plotësisht në një sipërfaqe prej 1.1 milion km katrore, ndërsa në disa zona të caktuara do të lejohen aktivitete për qëllime kërkimore.
Shkencëtarët dhe aktivistët e cilësuan marrëveshjen si një gur themeli në përpjekjet globale për mbrojtjen e diversitetit të marinës.
Evan Bloom, drejtor në departamentin amerikan të shtetit dhe lider i delegacionit amerikan tha se ky ishte një moment i mrekullueshëm dhe një hap i madh përpara.
“Kemi shënuar një arritje të madhe sot. Shkencëtarët tanë, si amerikanë ashtu edhe ata të Zelandës së Re janë fokusuar tek deti Ross dhe mjedisin e tij të rrallë, për vite me radhë”, u shpreh Bloom.
Sipas shkencëtarëve parku detar do të hedhë edhe më shumë dritë në impaktin e ndryshimeve klimaterike. Rusia ra dakord lidhur me propozimin, pasi e kishte bllokuar atë në 5 raste të tjera.
Në mënyrë që vendimet të miratohen, 25 anëtaret e komisionit, ku përfshihen Rusia, Kina, SHBA dhe Bashkimi Europian duhet të votojë unanimisht.
Top Channel