Zbatimi i reformës, Nishani: Të shmanget kapja e drejtësisë

27/10/2016 00:00

Në një takim me bashkë-reporterët e Këshillit të Evropës për Shqipërinë, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly, Presidenti Bujari Nishani ka theksuar domosdoshmërinë për shmangien me çdo kusht të kapjes se procesit të Reformës në Drejtësi dhe institucioneve që do krijohen prej saj nga çdo grup interesi.

Kjo pasi sipas kreut të Shtetit, vetëm në këtë mënyrë do të arrihet zbatimi efikas në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.

Nishani është ndalur dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke shprehur shqetësimin mbi rrezikun që sipas tij i kanoset institucionit të votës së lirë, duke shtuar se gjithnjë e më shumë krimi ka arritur të manipulojë dhe tjetërsoi votën. E për ta ndalur këtë ai kërkoi dhe asistencën e ndërkombëtarëve.

Presidenti Nishani shprehu gjithashtu shqetësimin mbi trajtimin me dy standarde që iu bëhet pronarëve të hershëm dhe të rinj në vend, si një akt që sipas tij, cenon rëndë të drejtat e njeriut dhe krijon hapësira dhe mekanizma nxitës të korrupsionit.

Dy bashkë-reporterët ndodhen në Shqipëri në kuadër të një vizite faktmbledhëse, ku do të takohen dhe me drejtues të tjerë të lartë të institucioneve.

Top Channel