Basha me FMN-në: Ekonomia shqiptare, në rrezik nga droga dhe korrupsioni

27/10/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti këtë të enjte në një takim shefen e FMN-së për Shqipërinë, Anita Tuladhar dhe përfaqësuesin e këtij misioni në vendin tonë, Jens Reinke.

Gjatë takimit Basha theksoi se situata është dramatike në të gjitha aspektet e jetës së vendit, për shkak të korrupsionit, kapjes së shtetit nga një grusht oligarkësh dhe individësh me rekorde kriminale, drogës, gjobave dhe arbitraritetit të tatimorëve.

“Gjë që ka sjellë mbylljen e mijëra bizneseve, varfërim të përditshëm të shqiptarëve, rritje të përdoruesve të lëndëve narkotike dhe një situatë depresive për shoqërinë”, tha Basha.

Kreu i opozitës vuri në dukje se, “taksat janë rritur, informaliteti është në nivelet më të larta, transparenca është në nivelet më të ulëta historike, ndërkohë që rritja e çmimeve të karburanteve dhe të energjisë për konsumatorët dhe bizneset ka shkaktuar një problem mbijetese për ta”.

“Rritja e taksave si dhe skemat korruptive të konçesioneve kanë zhytur vendin në krizë. Ndonëse rriti taksat, qeveria ka dështuar të shtojë të ardhurat”, theksoi Basha.

Ai u ndal edhe në  rritjen e pakontrolluar të borxhit publik, nga 62.7% të PBB në 2013-n, në 72-73% që vlerësohet aktualisht.

“Dhe në të njëjtën kohë janë rritur detyrimet e pashlyera të qeverisë ndaj palëve të treta. Gjithashtu, nuk ka asnjë investim publik. Investimet e nisura para 3 vitesh vazhdojnë të jenë me të njëjtin status, ndërkohë që miliona euro shkojnë për shëtitore me palma, shatërvanë si edhe për shpenzimet e luksit; për vetura qeveritare, për rikonstruksione zyrash”, vijoi Basha.

Kryetari i PD denoncoi edhe aferat që bëhen sipas tij me tenderat dhe konçesionet, të cilat, siç tha ai, “në 50% të rasteve bëhen pa garë e në rastet e tjera përzgjidhen ofertat më të larta e fitohen nga një grusht oligarkësh pranë kryeministrit”.

Top Channel