SHBA, Clapper: Çarmatimi i Koresë së Veriut, një çështje e humbur

26/10/2016 00:00

Drejtori i Shërbimeve Sekrete Kombëtare amerikane (DNI) tha se, politika e Shteteve të Bashkuara për të binduar Korenë e Veriut që të braktisë programin e armëve bërthamore, sipas gjasave është një çështje e humbur.

James Clapper tha se, maksimumi që SHBA-të mund të shpresojnë është që Koreja e Veriut të arrijë kufirin e aftësive të saj. Komentet e Clapper janë një pranim i rrallë se, qëllimi prej vitesh i Uashingtonit për çarmatimin bërthamor të Koresë komuniste mund të jetë i paarritshëm.

Megjithatë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se politika e tij në këtë kuadër s’ka ndryshuar. Koreja e Veriut pretendon se ka shënuar progres të shpejtë në programet e saj bërthamore dhe ato të raketave, pavarësisht sanksioneve të ashpra ndërkombëtare.

Gjatë një fjalimi në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, Clapper u shpreh se regjimi në Korenë e Veriut vuan nga paranoja dhe tek armët bërthamore sheh biletën e tij për shpëtim.

“Prandaj mendoj se nocioni për të hequr dorë nga aftësitë e tyre bërthamore, cilatdo qofshin këto, është totalisht i paparanueshëm për ta”, deklaroi Clapper. Sipas tij, ofrimi i stimujve ekonomikë në këmbin të kufizimit të arsenalit bërthamor mund të ishte një politikë më e mirë.

Por duke iu përgjigjur deklaratës së Clapper, Departamenti amerikan i Shtetit tha se SHBA-të synojnë ende të rinisin bisedimet gjashtëpalëshe, që janë ndërprerë që prej vitit 2009, kur Koreja e Veriut u tërhoq nga to.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta