Gara në LSI, Meta bën fushatë së bashku me Rrokajn e Spahiun

26/10/2016 00:00

Tre kandidatët në garë për kreun e LSI-së kanë shpalosur programin e tyre politik në drejtim të partisë për 4 vitet e ardhshme. Për Ilir Metën, partia që ai drejton që prej themelimit të saj duhet të ketë në fokus vetëm interesin publik.

“Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të ketë vetëm një ideologji: interesin e publikut të gjerë. Duhet të ketë gjithashtu vetëm një aleat për këtë çështje, që është transparenca me qytetarin. Në çdo vendim dhe në çdo veprim, ne udhëhiqemi nga dëshira për të rritur shpresën se Shqipëria është një vend me të ardhme dhe e ardhmja e Shqipërisë, rinia e saj do të qëndrojë këtu. Kjo është detyra jonë dhe unë do t’i shërbej kësaj me përkushtimin maksimal gjatë 4 viteve të ardhshme”, tha Ilir Meta, kryetar i LSI-së.

Shezai Rrokaj tha se, në fokus të programit të LSI-së në qoftë se fiton garën e 6 nëntorit, do të ketë aleancat me partitë e tjera.

“Kemi qenë forca politike që, për stabilitetin e vendit, ka pranuar aleanca edhe kundër natyrës së forcës sonë politike. Kjo, sepse kemi vlerësuar se në radhë të parë, përtej interesave tona politike, kemi vënë interesat e qytetarëve dhe të vendit. Por këto aleanca duhet të jenë të kujdesshme dhe duhet të bëhen mbi baza programore, të përputhshmërisë së programeve politike, të cilat do të bëhen pastaj pjesë e programit qeverisës. Këto aleanca duhet të bëhen mbi bazën e besueshmërisë”, tha Shezai Rrokaj, kandidat për kryetar të LSI-së.

Për Përparim Spahiun, LSI-ja duhet të ketë një rol kryesor në politikën shqiptare.

“Ne themi se ky vend mund të bëhet dhe prandaj jemi në politikë. Ka ardhur koha që LSI-ja të ketë një rol parësor dhe udhëheqës në politikën dhe shoqërinë shqiptare”, tha kandidati tjetër, Përparim Spahiu.

Kandidatët e prezantuan programin e tyre në një takim me strukturat e LSI-së në Tiranë.

Top Channel