Brunilda Alimerkaj, të jetosh me sëmundjen duke qenë aktive

26/10/2016 00:00

Brunilda Alimerkaj është kthyer në një heroinë në qytetin e vogël të Ballshit. Pothuajse të gjithë e njohin historinë e saj të trishtë.

Është një grua e fortë, që pavarësisht të gjithave shikon përpara . Aktualisht ajo punon si specialiste komunikimi në Bashkinë e Mallakastrës, ku ndjehet tejet vitale dhe optimiste për të vazhduar këtë rrugëtim të panjohur.

9 vite më parë, ajo u diagnostikuar me tumor në gji dhe vetëm dy vite më pas, ndodhi edhe divorci nga bashkëshorti.

Në dhjetor të vitit 2015, Brunës iu shfaqën përsëri disa probleme të vogla, ku rezultati i skanerit dha lajmin e keq. Sëmundja nuk kishte dashur ta braktiste trupin e saj përgjithmonë, ndaj kësaj radhe mushkëritë e saj ishin në rrezik.

E gjitha kjo prishi qetësinë e prindërve e të dy vajzave të saj Hebit dhe Raisës. Pyetja që mundonte të gjithë ishte se çfarë do të ndodhtë kësaj radhe: A do t’ia dilte?

Ndaj, 40-vjeçarja u shfaq më e fortë se kurrë, tanimë ajo kryen kimiot në Itali, njëherë në tre javë dhe është e bindur që do ta “kafshojë” sëmundjen.

Të gjithë kërkojnë ta ndihmojnë atë dhe në këtë skuadër të madhe, babai i saj Myqeremi, është i pari. Megjithëse 73 vjeç, ai punon ende në një shkollë jopublike që të kontribuoj sadopak financiarisht.

Pavarësisht vuajtjeve të shumta, ajo s’ka harruar të buzëqesh. Për Brunën, jeta është e bukur, pavarësisht sfidave që të përball. E gjithë kjo periudhë për të është një garë që duhet ta fitojë.

Top Channel