Të ardhurat në buxhet. Mblidhen 19 miliardë më shumë se 2015

25/10/2016 00:00

Për periudhën janar-shtator qeveria ka mbledhur 298.1 miliardë lekë të ardhura në buxhet. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë rritur me 6.8% ose 19 miliardë lekë.

Por, nëse krahasohen me planin e periudhës, ato janë 1% më të ulëta. Sipas Ministrisë së Financave, shkaku kryesor i mosrealizimit janë të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe ato nga taksa nacionale, që ishin respektivisht 3.9 dhe 1.5 miliardë lekë më pak se plani.

Një pjesë e mosrealizimit në këto dy taksa është kompensuar nga ecuria e tatimit mbi fitimin. Për këtë taksë, të ardhurat e grumbulluara ishin 3.6 miliardë lekë më shumë se parashikimi, çka tregon se të paktën, sipas deklarimit të taksave, kjo ka qenë një periudhë pozitive për fitimet e biznesit.

Në krahun tjetër të buxhetit, atë të shpenzimeve, qeveria ka vazhduar të mbajë një politikë të kujdesshme. Sipas Ministrisë së Financave, shpenzimet faktike të buxhetit për 9-mujorin ishin 10.4 miliardë lekë më të ulëta se plani, kryesisht si rezultat i kursimeve nga interesat e borxhit.

Por, edhe pse shpenzimet totale të buxhetit kanë qenë më të ulëta se plani, zëri më i rëndësishëm i tyre, ai i investimeve publike, rezulton me tejkalim në masën 101%. Kjo është hera e parë në gati 3 vjet që investimet publike realizohen sipas planit, ndërkohë që qeveria ka vijuar edhe në shtator të mbajë buxhetin me sufiçit prej 10.5 miliardë lekë.

Top Channel