Ekonomi: Shqipëria, vend që thërret investitorët e huaj

25/10/2016 19:55

E ftuar në studion e lajmeve të Top Channel, ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi deklaroi se tashmë vendi ynë është një vend që thërret investitorët e huaj.

Banka Botërore deklaroi se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha në përmirësimin e klimës së biznesit. Në raportin “Doing Business 2017”, banka raportoi se renditja e Shqipërisë u përmirësua me 32 pozicione krahasuar me një vit më parë.

Si rezultat, aktualisht Shqipëria renditet ekonomia e 58 në botë për nga klima miqësore e biznesit, kur vetëm një vit më parë renditej në vendin e 90 në botë. Kjo është renditja më e mirë historike që Shqipëria ka patur ndonjëherë në raportin i cili konsiderohet si një nga më të rëndësishmit për investitorët e huaj.

“Në raportin e “Doing Business” vihet re se edhe cilësia e reformave ka qenë e mirë sepse jo vetëm renditja, por edhe distanca nga më i miri është ngushtuar”, tha Ekonomi.

“Hap cilësor është marrja e lejeve të ndërtimit. Marrja “online” e tyre ka bërë që nga vendi i fundit, të kemi rekuperuar 83 vende. Si dhe koha për të paguar taksa është ulur me 90 orë, duke rritur pozicionin në renditje me 45 vende”, shpjegoi Ekonomi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA