Ekonomi: Raporti “Të bësh biznes”, renditje historike për Shqipërinë

25/10/2016 18:25

Raporti i “Doing Business” (Të bësh biznes) e ka renditur Shqipërinë në vendin e 58. Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, në një deklaratë për shtyp, deklaroi se ky është një “vlerësim i Bankës Botërore për lehtësinë e të bërit biznes në Shqipëri”.

“Ky përmirësim në renditje lidhet me reformat që ka ndërmarrë qeveria”, theksoi Ekonomi.

“Pak minuta me parë, Banka Botërore publikoi raportin e saj të përvitshëm “Të bësh biznes”. Vendi ynë renditet i 58-ti nga 190 shtete që Banka Botërore vlerësoi këtë vit. Ky është jo vetëm një përmirësim i dukshëm prej 32 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, por është njëkohësisht renditja dhe vlerësimi më i mirë që Shqipëria ka patur ndonjëherë, që nga viti 2003 kur ky raport u publikua për herë të parë nga Banka Botërore. Gjithashtu raporti konfirmon rritjen cilësore të reformave të ndërmarra nga Qeveria për lehtësitë e të bërit biznes, duke nënvizuar se distanca e Shqipërisë ndaj praktikave më të mira, në të bërit biznes ka patur një përmirësim të dukshëm, duke u rritur nga 61.3 pikë në raportin e vitit  të kaluar  në 68.9 pikë në raportin e sivjetshëm”, tha Ekonomi.

Ministrja renditi edhe 3 reformat që, sipas saj, bënë të mundur vlerësimin: “E para, reforma me thjeshtimin e dhënies së lejeve të ndërtimit. Raporti thekson se në fushën e lejeve të ndërtimit, Shqipëria ka thjeshtësuar procedurat për marrjen e lejes dhe ka hartuar një rregullore të re për lejet e ndërtimit, duke përmirësuar renditjen në këtë indikator me 83 vende.
E dyta, reforma në  marrjen e energjisë dhe shpejtësinë e  lidhjes në  rrjet. Në marrjen e energjisë, raporti nënvizon se efiçenca e procesit të marrjes së energjisë është përmirësuar. Raporti evidenton se, koha për marrjen e një lidhje të re energjie u shkurtua me 43 ditë, duke përmirësuar renditjen në këtë indikator me 6 vende.
E treta, reforma në pagesën e taksave. Pagesa e taksave, sipas raportit “Te bësh biznes” është bërë më e shpejtë dhe e thjeshtë me fillimin e pagesës elektronike të taksave që nga 1 janari 2015. Koha  totale e pagesave u shkurtua me 96 orë. Renditja e Shqipërisë në këtë indikator është përmirësuar me 45 vende”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA