PD: Rama thellon aferën e check-up-it, 5 mln euro në vit donatores së tij

24/10/2016 00:00

Deputetja e PD, Albana Vokshi e ka cilësuar një farsë deklaratën e kryeministrit Rama për rritjen e pagave. Sipas saj, ajo që ka bërë Rama është vetëm një skemë abuzime me qëllime përfitimi.

“Edi Rama flet për rritje pagash, por në fakt ka hapur thesin për donatorët dhe miqtë e tij. Më 12 tetor, Rama ka vendosur t’i japë Vilma Nushit edhe 5 milionë euro më shumë në vit. E ka bërë këtë duke rritur fashën e grupmoshës që gjoja bëjnë “check-up”. Nga 40-65 vjeç që ishte, tani e ka bërë në 35-70 vjeç dhe këtë e ka bërë pa asnjë studim dhe pa të dhënat klinike, shkencore e epidemiologjike”, ka deklaruar Vokshi.

Ajo ka theksuar se, kryeministri nuk e ka bërë këtë për suksesin e check-up-it, sepse, sipas saj, nuk ka shqiptar që mos ta dijë se kjo është një skemë e dështuar.

“Qytetarët e kanë refuzuar dhe në ato pak raste kur kryhet, përgjigjet e analizave shpesh kanë qenë skandaloze, absurde e të pabesueshme. Kjo rritje e fashës nuk bëhet për të ndihmuar qytetarët por për të vjedhur më shumë së bashku me donatoren e tij, Vilmën. Pra, ka shtuar rreth 350 mijë qytetarë për regjistrat e Vilmës, që përkthehet në 5 mln euro më shumë në vit për donatoren e tij personale”, ka vijuar Vokshi.

Ajo ka shtuar se, megjithëse check-up-i është një prej aferave më të mëdha korruptive në 3 vjet të kësaj qeverie, Edi Rama dhe Ilir Beqaj jo vetëm nuk hoqën dorë prej tij, por kanë vendosur ta thellojnë skandalin duke vjedhur edhe më shumë.

“Spitalet dhe kujdesi parësor janë zhytur në mjerim, sepse paratë që duhet të shkonin për barna, kura, pajisje, mjete për shëndetin e shqiptarëve zhduken në xhepat e Vilmës dhe Beqes e Ramës”, ka shtuar Vokshi.

Top Channel