PD, Boçi: Rama, “show” elektoral me rrogat e pedagogëve

24/10/2016 00:00

Sekretari i PD për arsimin, Luçiano Boçi ka ironizuar takimin e kryeministrit Rama me pedagogët.

“Edi Rama mblodhi sot pedagogë, profesorë e akademikë, në atë që e quan bashkëbisedim, po ku flet vetëm ai për dy orë me radhë. Sigurisht, si gjithmonë nuk përtoi t’i etikojë si të paaftë e të korruptuar, duke i futur të gjithë në një thes. Në thesin e tij. Nga takim me elitën e vendit, Rama e degradoi atë në një tubim partiak. I nisi fyerjet me Linditën e tij të Arsimit dhe i ndau pedagogët në miq e armiq, që kanë krijuar kaos dhe kanë mbjellë mediokritet”, ka thënë Boçi.

Boçi ka theksuar se, teksa predikoi autonominë universitare, kryeministri hoqi 2 orë pedagogët nga auditorët ditën e hënë, “për t’u mbajtur një leksion të gjatë e po aq mediokër, politik”.

“Rama dhe Lindita recituan edhe njëherë para pedagogëve po të njëjtat mashtrime, por nuk thanë pse degët më të kërkuara si asnjëherë në këto 25 vite, si Stomatologji, Farmaci, Inxhinieri Mjedisi, Telekomunikacion, etj, janë ende bosh”, ka thënë Boçi.

Sipas tij, “edhe pse u krekosën për ekselentët dhe meritën, asnjë prej tyre nuk shpjegoi pse më të mirët sot, si asnjëherë në këto 25 vite, u degdisën në degë të dorës së dytë”.

“Nuk dhanë as llogari për çorbën që gatuan duke kufizuar lirinë e preferencës, vetëm e vetëm të çonin maturantët tek mullinjtë e privatit. Gjithashtu, Rama dhe Lindita fshehën faktin se Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në arsimin e lartë vazhdon të akreditojë me shpejtësi rrufe programe për klientelën dhe politikën, pavarësisht se agjencia britanike vazhdon të lëvrijë në terren me vandakët e letrave në duar”, ka denoncuar më tej Boçi.

Ai ka akuzuar qeverinë se, pasi hoqi pagesat për kohën e pjesshme, pasi i reduktoi në maksimum pedagogëve të drejtën e orëve suplementare, shpërblimin për udhëheqjen e temave dhe vlerësimin financiar për punën shkencore, “u tha se në mars, meqë hyjmë në fushatë, do t’i rrisë pagat”. “Rama dhe Lindita mbetën sot përsëri, para pedagogëve, profesorëve e akademikëve”, ka shtuar Boçi.

Top Channel