Sarandë, homazhe për britanikët e rënë në incidentin e kanalit të Korfuzit

23/10/2016 00:00

Në Sarandë janë kryer homazhe në nderim të ushtarëve britanikë, që humbën jetën në incidentin e Kanalit të Korfuzit.

70 vite pas atij incidenti, ku u minuan dy shkatërrues “destroyer” britanikë, anëtarë të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për të përkujtuar plot 150 dëshmorë të forcave aleate, që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në emër të Presidentit të Republikës, Shtabit të Forcave të Armatosura, disa ambasadave dhe më shumë se 20 organizatave të shoqërisë civile, simbolikisht rreth orës 13:00 – që përkon dhe me momentin e ndodhjes së incidentit, – u hodhën në det kurora me lule.

Homazhe u bënë gjithashtu edhe për të përkujtuar 3 zbarkimet më të mëdha të forcave aleate gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Sarandë, në Himarë dhe në Kakome.

Vetëm në luftën e forcave aleate për çlirimin e Sarandës kanë humbur jetën 24 ushtarë britanikë.

Top Channel