Çako në konferencën e 123-të të shefave të policisë

22/10/2016 00:00

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako mori pjesë në Konferencën e 123-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë, që zhvilloi punimet në San Diego të Kalifornisë nën moton “Komuniteti juaj, siguria juaj, ndikimi juaj, prioriteti ynë!”

Së bashku me  Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe delegacionin shqiptar, ishin të pranishëm dhe Stepfen Bennett, Menaxher i Programit ICITAP  për Shqipërinë dhe Malin e Zi dhe stafi i tij.

Drejtori i Policisë së Shtetit u takua me Prokuroren e Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara, Loretta Lynch, e cila e përgëzoi për punën e bërë nga Policia e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Çako, e falënderoi zonjën Lynch për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Policinë Shqiptare dhe i dhuroi asaj stemën e Policisë së Shtetit.

Çako, mori pjesë në një takim që Ambasadori Brownfield, Zëvendës Sekretar i Shtetit dhe Drejtor i INL (International Narcotics and Law Enforcement), pati me  drejtuesit e agjencive të huaja ligjzbatuese.

Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u takua me zotin Garry L. Barr, drejtor i ICITAP, me zotin Garry Bullard, Nëndrejtor i Çështjeve Rajonale dhe me z. Paul E. Santiago, Drejtor i Divizionit Ndërkombëtar të Policimit, të cilët i  falenderoi për mbështjetjen që i kanë dhënë Policisë së Shtetit.

Top Channel