PD: Protesta ndaj qeverisë. Mbron kultivuesit dhe trafikantët e drogës

21/10/2016 00:00

Partia Demokratike u bëri thirrje qytetarëve të ngrihen dhe të reagojnë kundër qeverisë, të cilën e bën përgjegjëse si mbrojtëse e kultivuesve dhe trafikantëve të kanabisit. Sipas opozitës, sasitë e mëdha të drogës janë kapur ose nga autoritetet e huaja, ose me ndërhyrjen e Prokurorisë apo Shërbimit Informativ.

“Mediat greke denoncojnë qeverinë shqiptare për 1 ton kanabis të kapur dje në afërsi të Athinës, duke thënë se është e të njëjtit rrjet të Balilit, ‘Escobarit të Ballkanit’, i cili është i lirë dhe ushtron aktivitetin e tij nën mbrojtjen e Edi Ramës, edhe pse e kërkon gjysma e policive të Europës dhe DEA amerikane. Droga që kapin autoritetet fqinje, droga që kap Prokuroria dhe shërbimet, edhe pse me tonelata pothuajse çdo ditë, sipas Edi Ramës është vetëm 0.2 për qind e sasisë. Nisur vetëm nga kjo shifër e qeverisë, përfytyroni sesa mijëra ton drogë janë kultivuar në vendin tonë dhe po kthehen e pritet të kthehen çdo ditë në qindra milionë euro, para me të cilat Edi Rama kërkon të blejë pushtetin me çdo kusht”, u shpreh Gent Strazimiri.

*** Ja deklarata e plotë

“Mediat greke denoncojnë qeverinë shqiptare për 1 ton kanabis të kapur dje në afërsi të Athinës, duke thënë se është e të njëjtit rrjet të Balilit, “Eskobarit të Ballkanit”, i cili është i lirë dhe ushtron aktivitetin e tij nën mbrojtjen e Edi Ramës, edhe pse e kërkon gjysma e policive të Europës dhe DEA Amerikane. Ndërkohë, në këto momente që flasim, lajmet bëjnë të ditur se 21 kg kokainë e lidhur me shqiptarë është kapur sërish në Greqi. Pra, “Fronti i të keqes”, sipas mediave më prestigjioze italiane, portaleve analitike, strategji e politikëbërëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë ka kapur edhe Greqinë, e cila na thënkësh se edhe pse Sajmiri i Kryeministrit paska asgjesuar 99.99% të drogës në Shqipëri, 0.001%-shi i mbetur po u merr frymën”, tha Strazimiri.
 
“E verteta është se “Fronti i së keqes” drejton sot këtë vend nën divizën “mileti le të lehë, droga të ecë përpara”. Dje 4 nxënëse të shkollës 9 vjecare në Krujë humbën ndjenjat pikërisht nga hashashi i djegur në klasën e tyre. Në Krujë, aty ku 3 ditë më parë u gjet buzë aksit kombëtar hambari i drogës, me 1.3 tonë kanabis, që nuk u zbulua as nga policia, as nga OSHEE edhe pse konsumonte energji si një fabrikë; por u desh bashkëpunimi i shërbimeve me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të ndalur këtë krim. Droga që kapin autoritete fqinje, droga që kap Prokuroria dhe shërbimet, edhe pse me tonelata pothuajse çdo ditë, sipas Edi Ramës është vetëm 0.2 përqind e sasisë. Nisur vetëm nga kjo shifër e qeverisë, përfytyroni se sa mijëra ton drogë janë kultivuar në vendin tonë dhe po kthehen e pritet të kthehen çdo ditë në qindra milionë euro, para me të cilët Edi Rama kërkon të blejë pushtetin me çdo kusht”, shtoi Strazimiri.

Në fund, Strazimiri u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të çohen kundër drogës: “Çdo shqiptar sot është nën thirrje për të reaguar.Ngrihu, përpara se droga të shkojë në klasën e djalit apo vajzës tënde, përpara se droga të mbulojë lagjen e rrugën ku ti jeton, duhet të ngrihesh kundër kësaj të keqeje që sjell rrënim të shoqërisë, helmim, konflikte, vrasje e hasmëri. Shqipëria e pastër, pa drogë, është Shqipëria pa Edi Ramën”.

Top Channel