Gjysma e universiteteve në rrethe, bosh. Vazhdojnë regjistrimet deri në 27 tetor

20/10/2016 00:00

Gjysma e kuotave në universitetet publike në rrethe ishin bosh në momentin e hapjes së vitit të ri akademik. Universiteti me numrin më të ulët të studentëve është ai i Gjirokastrës, ku ishin regjistruar vetëm 30% e kuotës së përcaktuar.

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” u hap me mbi 1 mijë vende bosh në vitet e para. Ndërsa në auditore po hynin studentët, në sekretari vazhdonte regjistrimi.

Skënder Topi, rektor i këtij universiteti, tha: “Kam një mesazh për ju dhe për prindërit tuaj. Nuk do t’ju zhgënjejmë. Do të përpiqemi që t’ju sigurojmë dije cilësore, ambiente bashkëhore dhe transparencë maksimale”.

Në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në mëngjes ishin 693 vende të lira, por rektorja atje shpreson që brenda datës 27 tetor, të gjitha vendet të plotësohen.

Kseanela Sotirofski, tha: “Lista e pritësve është shumë e gjatë. Numri i studentëve që kërkojnë të hyjnë është shumë i madh dhe besojmë se deri në datën 27 të gjitha kuotat do të plotësohen”.

Rreth 800 vende të lira ishin edhe në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, nga 1900 kuota. Ndërsa universiteti me numrin më të ulët të regjistrimeve është “Eqerem Çabej” në Gjirokastër. Nga 1000 kuota, u regjistruan 350. Interesi më i ulët për regjistrime është në degët gjuhë dhe qytetërimi grek, gjuha e kultura italiane dhe matematika e fizika. Për të mbajtur hapur një klasë, duhen të paktën 10 studentë.Rektori Bektash Mema shprehet: “Ne jemi universitet i vogël dhe do të ngelemi të tillë, por ajo që pretendojmë ne është që ky universitet të jetë cilësor”.

Universiteti “Luigj Gurakuqi” kishte 1 000 vende të lira nga 2170 në total, por në sekretari vijojnë regjistrimet.

Top Channel