Depozitimi i energjisë, ERE tërhiqet nga bllokimi i kontratës së KESH

20/10/2016 00:00

Koorporata Eleketro-energjitike Shqiptare duket e vendosur për të finalizuar kontratën e depozitimit të energjisë së tepërt me kompaninë serbe EFT.

“Pas vendimit të ERE, që i kërkonte KESH menaxhimin e situatës tek Sekretariati i Energjisë, Koorporata i është drejtuar Sekretariatit dhe është në pritje të opinionit, duke qenë se bëhet fjalë për një procedurë që vjen si nevojë e tregut dhe e ndryshimeve ligjore”, deklaron Jonid Kazani, shef i çështjeve rregullatore pranë KESH.

Kontrata e KESH me EFT u denoncua publikisht nga ish-kryeministri Sali Berisha si një aferë e madhe korruptive, e cila sipas tij ia kalon menaxhimin e kaskadës së Drinit kompanisë serbe. Por KESH i hedh poshtë akuzat.

“Energjia që depozitohet është ajo që rezulton pas përmbushjes së detyrimit publik kundrejt konsumatorëve tariforë dhe pasi është shitur e shkëmbyer sipas procedurave të miratuara nga ERE. Pasi janë ezauruar të gjitha këto procedura, atë energji që deri dje është derdhur pa përfitim ekonomik, KESH gjeti mekanizmin për ta kthyer në vlerë për kompaninë”, thotë Kazani.

Sipas KESH, kjo marrëveshje nuk ka asnjë kosto për publikun, por vetëm përfitime. “Nëse kjo procedurë do kishte ekzistuar për 6-mujorin e parë 2016, KESH do kishte krijuar të ardhura deri në 5 milionë euro, ose do kishte marrë 150 megavat energji elektrike”, shton Kazani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA