Ministri i Financave, Arben Ahmetaj foli në Kuvend për buxhetin faktik të vitit 2015, që e quajti si “buxhetin e konsolidimit të reformave“.
“Ekonomia është rritur me 2.8% dhe kjo rritje është udhëhequr nga kërkesa e brendshme, veçanërisht investimet. Nga se erdhi rritja dhe a është e qëndrueshme? Ky duhet të ishte diskutimi sot. Rritja është mbështetur nga investimet e brendshme në sektorin e ndërtimit, i cili ka filluar të ngrihet dhe nga investimet publike. Investimet publike në vitin 2015 arritën 5.1% e PBB-së. Është qesharake që nga njerëz seriozë të diskutohet se kush i solli investimet. Është argumenti më i pavlerë në një Parlament“, deklaroi Ahmetaj.
Ministri shtoi se viti 2015 njohu rekordin e investimeve të huaja, 890 milionë euro, vendi i dytë në rajon. “Nga erdhën? Erdhën nga sistemi financiar, turizmi, energjia… Sot, pas 3 vitesh, kemi krijuar një model të ri ekonomik, që synon rritjen e prodhimit vendas, tërheqjen e investimeve në turizëm, sektor që është rritur në shifra dyshifrore. Në vitin 2016 po shkon rritja 3.4-3.5%, po financohet përsëri nga investimet e huaja dhe ato të brendshme”, u shpreh Ahmetaj, i cili shtoi se “qytetarët kanë besim tek ekonomia”.
“Ku e keni skenarin grek? Ju e uruat skenarin grek. Rritja është 3.5%, është një performancë e shkëlqyer“, nënvizoi Ahmetaj.
Top Channel