Veliaj: Investimet në çdo lagje, dëshmi se fokusi i bashkisë është puna

18/10/2016 00:00

Për kreun e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në Tiranë nuk ka zona të majta dhe të djathta, pasi politika e përçarjes nuk bëri hajër në katër vitet e bashkisë së mëparshme. Ai ka inspektuar përfundimet e rikualifikimit urbantë bllokut të banesave në Fushën e Aviacionit.

“E kemi bërë të qartë: Nuk ka më ndarje të tilla! Prej një viti e pak nuk ka më ndarje në të majtë e të djathtë: O do ta bëjmë Tiranën qytetin ideal për të jetuar e rritur fëmijët, ose nuk kemi shans tjetër! Për sa kohë që vazhdon politika e përçarjes, ku investimet bëhen në një vend e s’bëhen në një vend tjetër, Tirana nuk bëri hajër 4 vjet; ndaj ka ardhur koha që tani të fokusohemi te puna, të mos merremi me fjalë e sharje, me shpifje, por të tregojmë që në të gjitha zonat, qoftë në periferi, qoftë në qendër, qoftë në ato që kanë votuar në një mënyrë apo në një tjetër, Bashkia e Tiranës ka një politikë të vetën, punën me investim konkret”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku Veliaj tha se me hartimin e buxhetit të vitit tjetër do të ketë të tjera investime të rëndësishme në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa shprehu besimin se punët do të shkojnë mirë për kryeqytetin, për sa kohë fokusi kryesor i bashkisë është te puna.

Rikualifikimi urban i bllokut që kufizohet me rrugët “Dritan Hoxha”, “Teodor Keko”, “Anesti Lubonja” dhe parkun tek ish pista e Aviacionit, apo siç njihet ndryshe Fusha e Aviacionit, krijon kushte më të mira jetese për rreth 5.000 banorët e zons.

Top Channel