Totozani: Shpallja e minimumit jetik garanton standarde dinjitoze për më të varfërit

17/10/2016 00:00

Në ditën ndërkombëtare për zhdukjen e varfërisë, Avokati i Popullit bën të ditur se bashkë me ekspertë të pavarur të ekonomisë është duke punuar për llogaritjen dhe shpalljen e minimumit jetik.

“Shpallja e minimumit jetik garanton standarde dinjitoze jetese për më të varfërit”, është shprehur z. Totozani.

Sipas të dhënave zyrtare të treguesve të nivelit të varfërisë rezulton se rreth 14.3% të familjeve jetojnë në varfëri absolutem e përcaktuar në Shqipëri si numri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë, si dhe rreth 2.2% jetojnë në varfëri ekstreme, e përcaktuar si numri i personave që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore.

Aktualisht rreth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike. Por, në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh.

Në 17 tetor të vitit 1987, mbi 100 mijë persona u mblodhën në Paris për të nderuar viktimat e varfërisë, dhunës e urisë. Që atëherë 17 tetori rikujtohet për angazhimin që t’i jepet fund varfërisë. 17 tetori u njoh si ditë zyrtare në 1993 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, por kjo ditë përkujtohet që nga viti 1987 në shumë vende.

Top Channel