LSI kërkon listat e hapura, Vasili: Do e paraqesim në Komision

17/10/2016 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim do ta avancojë në Komisionin e Reformës zgjedhore idenë e hershme të kryetarit Ilir Meta që partitë të mos i paracaktojnë deputetët nëpërmjet renditjes së pandryshueshme, që njihet me emrin “listat e mbyllura”.

Opsioni i LSI-së u lë partive propozimin e kandidatëve për deputetë, por jo renditjen e tyre, për të cilën duhet të vendosë elektorati.

“Zgjedhësit të jenë gjithnjë e më të ndërgjegjshëm për këtë zgjedhin dhe kush do t’i përfaqësojë. Ky është një thelb shumë pozitiv dhe i shëndetshëm, një praktikë që edhe vende të tjera e kanë zbatuar”, deklaroi Vasili.

Lëvizja Socialiste për Integrim këmbënguli në idenë e listave te hapura, edhe pse Kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë qëndrimin e vet kundër, kur u pyet nga gazetarët në Beograd.

“Personalisht jam kundër listave të hapura, por kjo çështje kërkon një diskutim të gjerë. Unë jam që të zbatohen rekomandimet e OSBE-ODHIR”, deklaronte Rama.

Edhe Partia Demokratike është shprehur kundër idesë së listave të hapura, një debat që ndodh sa herë Parlamenti ngre Komisionin për Reformën Zgjedhore.

Top Channel