Gratë pa të ardhura, vështirësi përballë kostove të divorcit

17/10/2016 00:00

Gratë që përballen me problemet e dhunës në familje e kanë të vështirë të përfundojnë divorcet e tyre, për shkak të pamundësisë për të paguar tarifën e psikologut, i cili thirret në proces në nivelin e ekspertit.

“Nuk kisha mundësi që të paguaja tarifën e psikologut, ishte 15 mijë lekë”, tha një prej këtyre grave.

Për t’iu ofruar një zgjidhje grave, të cilat përballen jo vetëm me dhunën në familje, por edhe me probleme ekonomike, Komiteti drejtues kundër Dhunës në Familje ka propozuar ofrimin falas të psikologëve të institucioneve.

“Gjykata të njohë në rolin e psikologut, psikologët e institucioneve për ta ofruar këtë shërbim pa pagesë. Të licencohen ose të pranohen për t’u futur në listën e ekspertëve që ka Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan për t’u përzgjedhur më pas nga gjyqtarët”, tha Dhoksa Gjoka nga “Forumi i Gruas”.

Ndërkohë, burime zyrtare nga Gjykata e Elbasanit thanë për Top Channel se, ligjërisht është e pamundur të ndërhyjnë në pavarësinë e gjykatësit për të përzgjedhur ekspertët e çështjes.

Në këtë rast, zgjidhje do të ishte çelja nga ana e Ministrisë së Drejtësisë e një fondi të psikologëve pa pagesë, njësoj siç funksionon fondi i avokatëve pa pagesë.

Nga ana tjetër, gjykatat përballen me problemin e një tregu psikologësh ende të parregulluar. Vetëm në prill të këtij viti është miratuar Urdhri i Psikologut, i cili pritet të rregullojë këtë shërbim dhe në përbërje të të cilit do të jenë vetëm psikologë të certifikuar profesionalisht dhe të licencuar.

Top Channel