Përfundon votimi në Mal të Zi, shqiptarët ende të përçarë

16/10/2016 00:00

Në Mal të Zi ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, ku deri në orët e pasdites pjesëmarrja ishte mbi 50%.

Partitë kryesore pretendente janë Partia Demokratike Socialiste e Milo Gjukanovicit e cila këtë radhë doli e vetme në zgjedhje pa partnere dhe Celsi, e cila u bashkua me 4 parti në koalicion ndër to edhe një shqiptare.

Por  faktori politik shqiptar në vend vijon të jetë i përçarë. Në këto zgjedhje partitë shqiptare kanë dalë para votuesve me tre koalicione të ndryshme që janë: Lista e “Shqiptareve te Vendosur “qe ka ne koalicion tre parti shqiptare , “Koalicioni Shqiptar me një Qëllim”  që ka në koalicion katër parti shqiptare dhe ‘Lidhja Demokratike”. 

Nëse do ishin përfaqësuar me një listë të vetme, atëherë shqiptaret do të arrinin të kishin 5 deputetë në parlamentin malazez.

Shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë rreth 7% të popullsisë, por për përfaqësuesit e  dy grupimeve  të ndryshme të partive, faji i përçarjes nuk qëndron tek partitë e tyre.

“Ne sigurisht nuk kemi apriori “Po” ose “Jo” me asnjë subjekt politik për arsye se jemi të zhgënjyer nga realizimi i obligimeve ndaj shqiptarëve apo politikave tona. Kjo do të ishte e preferueshme. Ishte synimi im disa vjeçar si në Parlament si këtu, por siç duket çdo herë disa struktura aktivizojnë njerëzit të cilët e përhapin frymën e përçarjes ose frymën e mosrespektimit të interesave tona kombëtare”, shprehet Genc Nimanbegu, përfaqësuesi i listës “Shqiptarë të Vendosur”.

“Mundësia që të marrim më shumë, është që të shkojmë bashkë. Sa më përket mua dhe subjektit që unë përfaqësoj i kemi bërë të gjitha përpjekjet. Marrë përgjegjësi për ndonjë gabim, por nuk besoj se tek ne qëndron faji. Ne kemi mbledhur 4 subjekte dhe besojmë se do të jemi një ndër lista më të forta në këto zgjedhje”, shprehet Fatmir Gjeka, përfaqësuesi i listës “Koalicioni Shqiptar me një Qëllim”.

Top Channel