Meta në Durrës: LSI, faktor stabiliteti

15/10/2016 00:00

Kreu i LSI-së Ilir Meta ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë në Durrës, ku theksoi se LSI është faktor stabiliteti në vend dhe jo konfliktuale.

“Është një përkrahje dhe simpati që në radhë të parë mendoj se vjen nga mesazhi pozitiv i LSI si faktor stabiliteti. LSI ka treguar se është faktor për stabilitetin e vendit. Së dyti, LSI si mesazh pozitiv në bërjen e politikës që kërkon përmes bashkëpunimit, përmes dialogut, përmes arsyes, logjikës, qëllimeve të mira, ta çojë politikën përpara dhe ta vërë në shërbim të njerëzve. Nuk është një forcë konfliktuale, e lodhshme, stresuese e kështu me radhë. Angazhimi ynë për konsensus për reformën në drejtësi është historik. Sepse po të ishte bërë pa konsensus do të ishte hapur një sherr i paparë për 20 vjet në vendin tonë. Angazhimi ynë edhe për shumë çështje të tjera të rëndësishme ka qenë tregues i përgjegjshmërisë sonë”, – theksoi Kryetari i LSI-së.

Meta tha se forca e LSI-së është te respekti për njerëzit si edhe te përgjegjshmëria në politikë, duke treguar korrektesë me të gjithë.

“Forca e LSI-së mendoj se është tek mesazhi i saj pozitiv, është tek politika e saj me vendin tonë, është tek respekti për njerëzit. Kjo është shumë e rëndësishme që ne jemi gjithnjë korrekt me ta dhe mbi të gjitha është tek rinia, tek pjesëmarrja e gjerë e saj. Ne jemi të përmbajtur dhe shumë të përgjegjshëm edhe në politikë. Sepse është e thjeshtë ta humbasësh qetësinë, të bësh një veprim të nxituar, por pastaj të duhet kohë për ta korrigjuar. Njerëzit duan besim, njerëzit duan seriozitet, njerëzit duan më shumë qëndrueshmëri. LSI është në një moment shumë pozitiv sepse është një forcë gjithnjë e qëndrueshme dhe në rritje. LSI të jetë një forcë në vitin 2017, e cila vërtetë të jetë një garanci shumë herë më e madhe se sa është sot, që vendi të mos përjetojë konflikte të panevojshme, por njëkohësisht edhe reforma të nxituara, të cilat në vend që të zgjidhin problemet e vjetra, shpesh krijojnë edhe probleme të reja dhe të panevojshme”, – vijoi Meta.

Periudhën para zgjedhjeve të 6 nëntorit në parti Meta tha se duhet të shfrytëzohet për të përmirësuar përfaqësimin e LSI-së në të gjitha nivelet.

Top Channel