Basha: Mashtrimet e Ramës për drogën po dalin në shesh

15/10/2016 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar sërish lidhur me çështjen e narkotikëve, duke përsëritur akuzat ndaj kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri.

“PD denoncoi se në Shqipëri ka hyrë fara vietnameze e kanabisit. Rama e mohoi, por Guardia di Finanza konfirmoi se 70% e bimës ishte e tillë. PD denoncoi ngjarjen në Shën Gjergj si vrasje për drogën. Rama-Tahiri e mohuan, e paraqiten si vetëvrasje, por doli ekzekutim dhe prokuroria po heton. PD denoncoi tre ditë më parë se në zonën e Tapizës trafikantët marrin gra e fëmijë dhe i çojnë për të punuar kanabisin. Rama-Tahiri e mohuan, por dje janë ndaluar 5 vetë që i dërgonin gratë me furgona në malësitë e Krujës për të punuar kanabisin”, ka deklarauar Basha.

Sipas tij, në një situataë të tillë duket qartë se kush mashtron e kush thotë të vërtetën. “Kush thotë të vërtetën për drogën? Ne që e denoncojmë çdo ditë me prova dhe fakte, apo Edi Rama që i fsheh dhe mohon për t’u dhënë mbrojtje trafikantëve”, ka thënë më tej Basha.

Top Channel