Peshkatarët kërkojnë kantier: Nuk kemi ku riparojmë anijet

14/10/2016 00:00

Fadil Kërtalli e ka lidhur jetën e tij me detin. Dikur punonjës i kantierit detar të Durrësit, sot edhe ai, si e gjithë flota shqiptare e peshkimit të cilës i përket, merr rrugët nëpër portet e vendeve fqinje për të kryer remontin e anijes së tij.

“Duhet kantier, ne s’kemi kantier dhe marrim rrugët nëpër Europë. Pjesët që i shërbejnë anijes nuk i njeh dogana. Unë i marr dhe dogana thotë që do paguash. Edhe vaji nuk është i përjashtuar nga akciza”, thotë Kërtalli.

Megjithëse naftën tani e marrin pa akcizë, peshkatarët shprehen se ajo mebet përsëri më e shtrenjtë se në Itali. Njerëzit e detit flasin pak, por për problemet që hasin nuk kursehen.

Mes shqetësimeve rendisin edhe konkurrencën e ashpër nga peshku i importit. Por duket se në një pikë bien dakord me politikat e qeverisë kur shprehen për një numër të kufizuar lejesh peshkimi.

“Është shtuar karkaleci, është pakësuar peshku, merluci dhe barbuni. Është pak dobët. Përditë po dalin varka, duhet të ketë një kufizim”, thotë Kërtalli.

Sot, në Durrës flota e peshkimit numëron 96 anije, 75 prej të cilave janë në aktivitet të plotë.

Top Channel