Regjistrimet në Universitete; Mbi 20 mijë kërkesa bllokuan sistemin, rinis puna

13/10/2016 00:00

Prej sot deri më 18 tetor do të vijojë regjistrimi i fituesve nga raundi i dytë i përzgjedhjes për në Universitete.

Paraditen e sotme ishin mbi 20 mijë kërkesa njëherësh që e bllokuan sistemin. Për një orë pranë Universiteteve u krijuan edhe radhë, por puna rinis shpejt.

Në Universitete nisi faza e dytë e regjistrimit, por për disa orë procesi u ndal për shkak të bllokimit të sistemit elektronik ku maturantet hedhin të dhënat e tyre. Pak para mesditës së të enjtes, teksa procesi u pezullua, në sekretaritë e fakulteteve u krijuan radhë pritjeje.

Procesi iu rikthye normalitetit rreth orës 13:00 ndërsa formularët e aplikimit nisën të bëhen dorazi. Momenti i bllokimit sipas argumentit që dha Ministria e Arsimit u shkaktua pasi, paraditen e të enjtes kishte një fluks të papërballueshëm nga sistemi elektronik, rreth 20 mijë kërkesa për regjistrim.

Regjistrimet e nisura në 13 tetor shënojnë fazën e dytë të regjistrimit të maturanteve që do të zgjasë deri në 18 tetor. I gjithë procesi do të mbyllet me fazën e fundit, në 20 tetor.

Top Channel