Çamët rrethojnë Metën; kreu i Kuvendit “çan” rrethimin

13/10/2016 00:00

Debatet mbi gjuhën e përdorur nga Ilir Meta gjatë vizitës në Greqi, ishte vetë ai që i shuajti ato, duke saktësuar se askush nuk mohon ekzistencën e çështjes çame, por…

“Kjo çështje kërkon një dialog dhe një mirëkuptim dhe një mirëbesim, i cili duhet të ndërtohet çdo ditë dhe jo të vritet, qofte edhe padashje, qoftë edhe për shkak të padurimit me të drejtë të shumë prej përfaqësuesve të këtij komunitetit të jashtëzakonshëm dhe me shumë vlera. Nuk mjafton të kesh një të drejtë, por ka shumë rëndësi si e parashtron këtë të drejtë”, tha Meta.
 
Por Shpetim Idrizi u shpreh i habitur, për atë që la të kuptohej se kishte qene një monolog në takimet e kryeparlamentarit në Greqi për këtë çështje.

“Në verbin tonë dhe në arsyetimin tonë, ka qenë i pamjaftueshëm për të parë Ilir Metën në pozicion, jo dialogu, sepse nuk kishte dialog”, deklaroi Idrizi.

Por Ilir Meta, megjithëse i kujdesshem, u përgjigj me atë që mund të quhet thuajse një paralajmërim.

“Jua kam kërkuar dhe më përpara, po ua them dhe tani, pastaj është e drejta juaj për të bërë politikën që ju e gjykoni më mirë, qoftë edhe grupimi që përfaqësoni, për ta paraqitur në mënyrë sa më konstruktive këtë çështje”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Duke e lënë debatin në kufijtë e keqkuptimit, kreu i PDIU-së, tha se shpejt do të dorëzonte një dokument që detyron politikën shqiptare që çështjen çame ta ketë në themel të bisedimeve me palën greke.

Jashtë këtij debati, nuk mbeti as ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili vijoi t’u qëndronte besnik deklaratave të mëhershme, e duke cituar dhe një shprehje.

“Kam dëgjuar shpesh një shprehje dhe nuk e kuptoja çfarë ishte, që “çam nuk lind, por bëhesh” dhe sa më shumë do ta trajtojmë ne këtë çështje dhe sa më shumë do të punojmë për adresimin e kësaj çështjeje, mund t’ju them që kjo çështje është një nga prioritetet kryesore të identitetit dhe të ruajtjes së identitetit tonë kombëtar”, deklaroi ai.

Por mënyra sesi po bëhet politika e jashtme, nuk i ka pëlqyer aspak Vangjel Dules.

“Menyra e prezantimit të politikës së jashtme në kundërvënie me shumë faktorë politikë dhe parlamentarë është shërbimi më i keq që mund t’u bëhet interesave kombëtare të një vendi nga ministri Jashtëm. Këtë e bëtë ju sot”, tha ai.

Për të shuar zërat skeptikë lidhur me një bllokadë të mundshme të Greqisë në rrugën integruese të Shqipërisë, Bushati huazoi një thënie të Faik Konicës.

“Shqipërisë asnjë vend anëtar i BE-së nuk i nxjerr dot kartonin e verdhë! Asnjë! Shqipërisë, siç ka thënë mos gaboj, Konica, kartonin e verdhë apo të kuq, mund t’ja nxjerrim vetëm ne, politikanët!”, u shpreh Bushati.

Top Channel