Zgjedhja e kreut të KQZ, Komisioni i Ligjeve dëgjon 5 kandidatët

12/10/2016 00:00

Në seancën dëgjimore me 5 kandidatët për kryetar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk u mor një vendim për mbështetjen ose jo të ndonjë kandidati.

Por nga qëndrimi gjatë pyetjeve të deputetëve të opozitës, u la të kuptohej se Partia Demokratike nuk do të mbështesë asnjërin.

Madje as kryetaren aktuale Lefterie Luzi, e zgjedhur në këtë post 4 vjet më parë me votat e Partisë Demokratike.

Pyetjet e opozitës u fokusuan tek vendimmarrja e zonjës Luzi gjatë ushtrimit të detyrës, por një prej tyre nxori në pah qëndrime të kundërta me opozitën për mënyrën e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit.

“Është e nevojshme dhe e menjëhershme që ligji për dekriminalizimin, së bashku me kodin zgjedhor dhe me ligjet e tjera duhet të ndryshojnë. Për shembull, në nene të caktuara ku thuhet ‘mund’, ‘duhet’. Ndryshe thuhet në një nen, ndryshe thuhet në një ligj, ndryshe thuhet në vendim”, shprehet Luzi.

Nga mazhoranca, zonja Luzi mori vetëm dy pyetje të përgjithshme. Po ky qëndrim pasiv i deputetëve socialistë, përveç disa batutave nga kryetari Xhafaj, ra në sy edhe gjatë pyetjeve të opozitës për dy kandidatët e tjerë. Për Denar Bibën, përveç vendimmarrjes “pro” të Partisë Socialiste, demokratët u përqendruan tek mospërmbushja e kritereve ligjore për kandidim.
“Mendoni ju se unë do të kisha kandiduar këtu dhe të vendosja në një lloj pozite përpara jush? Nëse unë do të kisha një lexim si i juaji”, tha Denar Biba.

Edhe për Kolin Belen demokratët pretenduan përmes disa pyetjeve se nuk përmbushte kriteret ligjore, duke e lidhur me funksione më të hershme në Partinë Socialiste. Çka ai i mohoi, por nuk mohoi një pyetje, nëse kishte financuar Partinë Socialiste.

“Para disa vjetësh kam bërë një donacion për subjektin në fjalë. Nuk më kujtohet shumë ekzakte”, tha Bele.

Komisioni i Ligjeve nuk ka caktuar një datë për vendimmarrjen rreth kandidatëve. Dhe tani topi është tek socialistët, vota e të cilëve do të përcaktojë kush do të jetë në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 4 vitet e ardhshme.

Top Channel