Shqipëria, marrëdhënie ushtarake me Arabinë Saudite

12/10/2016 00:00

Shqipëria do të vendosë marrëdhënie ushtarake me Mbretërinë Saudite. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli po zhvillon një vizitë zyrtare në Arabi, ku është takuar me homologun e saj, dhe zëvendësprincin e Kurorës, Muhammad bin Salman bin Abdulaziz Al- Saud.

Gjatë këtij takimi të dy zyrtarët u ndalen tek marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe nevoja për thellimin e bashkëpunimit në fusha të rëndësishme dhe me interes të përbashkët.

Që në nisje të bisedës zëvëndësprinci i Kurorës theksoi faktin se jemi dy vende shumë mike, por deri tani nuk kemi marrëdhënie në fushën ushtarake dhe kjo vizitë është një fillim i mirë.

Për ministren Kodheli, Shqipëria megjithëse një vend i vogël ka kontribut të madh për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan. “Ne duhet të luftojnë armiqtë e përbashkët, duhet të jemi bashkë në tema dhe vlera të rëndësishme”,- nënvizoi znj. Kodheli.

Zëvëndësprinci i Kurorës nënvizoi se duhet sa më shumë bashkëpunim në të kuptuarit e shkaqeve të radikalizmit dhe Shqipëria është një vend i rëndësishëm duke qenë vend NATO.

Ministrja shqiptare e Mbrojtjes ndau bindjen se ka nevojë për më shumë ura mes dy botëve dhe nëse ne përmirësojmë gjendjen ekonomike të njerëzve, arsimimin dhe forcojmë bashkëpunimin me miqtë e mirë në botë do të ulim ndjeshëm praninë e terroristëve.

Gjatë qëndrimit të saj në Mbretërinë e Arabisë Saudite, ministrja Kodheli vizitoi struktura të ndryshme ushtarake dhe disa të tjera që lidhen me sigurinë.

Top Channel